Lidhje

Shkodër, ndalohen 15 shtetas të huaj


Në Shqipëri, policia vijon ndalimin e refugjatëve nga vendet e treta, të cilët me mbështetjen e trafikantëve vendas, tentojnë të përdorin Shqipërinë si vend kalimi drejt vendeve të BE-së.

Gjatë paradites të së shtunës, forcat e policisë ndaluan në hyrje të qytetit të Shkodrës 15 refugjatë nga vendet e treta, kryesisht nga Siria, të cilët po përpiqeshin të kalonin ilegalisht përmes kufirit të gjelbërt të Shqipërisë me Malin e Zi, me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Europian.

Refugjatët kishin hyrë ilegalisht në territorin e Shqipërisë përmes kufirit me Greqinë dhe po transportoheshin me automjetet e tyre drejt Malit të Zi nga një grup trafikantësh vendas, me banim në Shkozet dhe Bathore të Tiranës.

Policia arrestoi grupin e trafikantëve, si dhe sekuestroi automjetet me të cilat po trafikonin 15 shtetasit e huaj drejt kufirit me Malin e Zi.

Gjatë këtij viti janë shtuar rastet e ndalimit të grupeve të refugjatëve, që hyjnë ilegalisht në territorin e Shqipërisë me synim largimin drejt vendeve të Bashkimit Europian. Megjithatë, si Shqipëria ashtu edhe Mali i Zi janë shprehur se situata në kufi është nën kontroll.

Në fillim të këtij muaji, gjatë një konference të përbashkët për mediat në qytetin e Shkodrës, kryemistrat e të dy vendeve pranuan ekzistencën e kalimeve sporadike të paligjshme të kufirit, por mohuan mundësinë e ngritjes së gardheve kufitare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG