Lidhje

Faktori ndërkombëtar reagon mbi dhunën në Maqedoni

  • Isak Ramadani

Komuniteti ndërkombëtar sot e ka dënuar në mënyrë të ashpër sulmin ndaj parlamentit të enjten, për çka thotë se ishte një sulm i organizuar. Zyrat e BE-së, të Natos, Ambasada e SHBA dhe OSBE-ja në një komunkatë të përbashkët nënvizojnë se sulmi ndaj institucionit shtetëror që duhet të paraqesë thelbin e demokracisë është sulm kundër vetë dmokracisë.

Diplomacitë perëndimore kanë analizuar gjendjen e sigurisë në Maqedoni pas ngjarjeve të dhunshme të së enjtes ku për pasojë pati dhjetra të lënduar, ndër ta ligjvënësit dhe kryetarë partish, Ziadin Sela dhe Zoran Zaev.

Në komunikatë e përbashkët të faktorit ndërkombëtar theksohet shqetësimi i thellë për atë se autoritetet shtetërore nuk arritën ta ndalojnë sulmin dhe nuk garantuan sigurinë e domosdoshme deputetëve dhe gazetarëve të pranishëm.

BE, NATO, SHBA dhe OSBE presin një hetim sa më të shpejtë për këto vepra kriminale dhe që autorët dhe organizatorët e sulmeve të vihen para drejtësisë, ndërsa gjykatat të veprojnë në mënyrë të pavarur. Po ashtu kërkohët që institucionet shtetërore të marrin sa më shpejt vendime për masa të përshtatshme.

Ndërkohë, u bëhet thirrje të gjitha palëve që të sillen me përgjegjësi dhe t’i konrtubuojnë procesit të qetë dhe demokratik që ata e theksojnë si të domosdoshëm, që të tregohen të përmbajtur t’u shmangen provokimeve dhe të qëndrojnë të qetë. Dhuna, thuhet në komunikatë, nuk është rruga e drejtë për vendin dhe shoqërinë e tij.

Ndërkaq, dje Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë për çështjet e Evropës dhe Eurazisë, John Heffern, i telefonoi presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov për t’i shprehur shqetësimin e thellë të SHBA lidhur me dhunën në parlamentin e Maqedonisë. Sipas një zëdhënësi të Departamentit amerikan të Shtetit, zoti Heffern bëri gjithashtu thirrje për zgjidhjen e krizës përmes institucioneve demokratike.

Ndihmës Sekretari në detyrë theksoi se Departamenti i Shtetit do të punojë me kryetarin e ri të parlamentit për të mbështetur demokracinë dhe për të ndihmuar Maqedoninë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane.

“Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik”, është shprehur zyrtari i lartë amerikan.

Në Shkup, kryetari i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev, i cili shpreson ta formojë qeverinë së shpejti, pret që ish-kryetari i parlamentit Trajko Velanovski t’ia dorëzojë në mënyrë të qetë zyrën kryetarit të ri të zgjedhur, Talat Xhaferi.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili është kryetar i partisë VMRO-DPMNE është shprehur se kundërshtarët politikë e kanë provokuar dhe nxitur dhunën.

Një pjesë e analistëve vlerësojnë se Gruevski nuk do të largohet qetësisht nga pushteti dhe se do të vazhdojë të përdorë grupet e dhunshme për të ndjellur frikë nga përshkallëzimi i krizës në vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG