Lidhje

Protestë në Shkup për ndotjen e ajrit


Protestë në Shkup për ndotjen e ajrit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:22 0:00

Në Shkup u zhvillua të shtunën një protestë e qytetarëve të shqetësuar me ndotjen e ajrit që shpesh e bën kryeqytetin e Maqedonisë të jetë në krye të listave botërore për shkallën e ndotjes. Protestuesit kërkojnë që autoritetet të ndërmarrin masa të nevojshme për zgjidhjen e problemit që ka shtuar vdekshmërinë si pasojë e sëmundjeve kancerogjene.

Shkalla e lartë e ndotjes së ajrit në Shkup dhe në qytete të tjera të Maqedonisë nxorri sot në rrugët e Shkupit një masë protestuesish, të cilët kërkojnë zgjidhje nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ i Maqedonisë. Protesta e organizuar përmes rrjeteve sociale tuboi jo më pak se treqind vetë para Parlamentit në qendër të Shkupit, ndërkohë që ashtu siç është shoqëria e ndarë në baza etnike në këtë vend edhe në protestë nuk u vërejtën shqiptarë. Pankartat e shkruara në maqedonisht u drejtoheshin deputetëve republikanë dhe ministrave në qeverinë e zotit Zaev të cilët, sipas protestuesve nuk po ndërmarrin masat e domosdoshme për uljen e ndotjes së ajrit që, sidomos në muajt e dimrit, arrin përmasa alarmante.

“Nuk mundet që me mjete buxhetore prej 1 milion e gjysmë eurosh ta pastroni qytetin më të ndotur në botë ndërsa shpenzimet tuaja për rrugë për çka kompensoheni nga buxheti të jenë 2 milonë euro në vit”, - tha organizatori i protestës, Kristijan Uzunov. Protestues të tjerë vlerësojnë se masat qeveritare janë truke për ta mashtruar popullatën, ndërkohë që automobilat në trafik dhe amvisëritë nuk paraqesin ndotësit kryesorë të ajrit, sipas tyre.

Nga ana tjetër, inovatorë të Fakultetit të Shkencave Informatike thonë se kanë gjetur mënyrën e zbutjes së shkallës së ndotjes së ajrit përmes këtyre aparateve, përkatësisht cisterna që spërkasin ujë në formë shiu. Gjashtë cisterna të këtilla me traktorë, sipas shkencëtarëve, do të mjaftonin për ta mbajtur ajrin e pastër në Shkup.

Autoritetet thonë se po përgatisin një ligj që do të ndalonte përdorimin e thëngjillit si lëndë për ngrohje; Se po instalojnë aparate për matjen e shkallës së ndotjes nëpër qytete të vendit dhe se po shohin mundësinë e ndihmës së banorëve që të ngrohen me energji elektrike në vend të druve.

Sipas ekspertëve, shkalla e vdekshmërisë në bazë të sëmundjeve respiratore ose të kancerit të mushkërive po rritet për çdo vit dhe rreth 2000 njerëz në Maqedoni vdesin si pasojë e ajrit të ndotur. Këtë e konfirmon edhe një studim i Bankës Botërore.

Shkupi shpesh ndodhet në majë të listave botërore për ajrin e ndotur. Shoqëria civile, ndërkaq, paralajmëron se do të organizojë protesta të mëdha nëse qeveria nuk ndërmerr masa të duhura.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG