Lidhje

Shtyhet përsëri seanca kundër fermerëve të Shkrelit


Fermerët akuzohen për kultivim të bimës narkotike canabis sativa

Është shtyrë edhe sot seanca gjyqësore ndaj anëtarëve të shoqatës së fermerëve të Shkrelit, të cilët prej 7 vitesh janë përfshirë në një betejë ligjore me policinë dhe prokurorinë, për shkak të akuzave të ngritura ndaj tyre për kultivim të bimës narkotike canabis sativa.

Seanca e sotme u shty për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes, gjë që solli edhe reagimin e përfaqësueses politike në Ambasadën e britanike në Tirane, Hanna Batchelor, e cila ishte e pranishme në sallën e Gjykatës së Shkodrës, ku po gjykohet kjo çështje.

Ambasada britanike, tha ajo, ka ndjekur çështjen nga afër që në vitin 2001 dhe jemi shumë të shqetësuar që nuk është dhënë akoma një vendim. Drejtëria e vonuar është drejtësi e mohuar, u shpreh ajo. Trajtimi i kësaj situate të paqartë është stresuese për fermerët dhe vazhdon të kërcënojë reputacionin e shoqatës britanike “Partnerët për zhvillim”, e cila në fillim solli edhe farën për kultivimin e kërpit industrial, një shoqatë kjo e regjistruar zyrtarisht në Britani dhe që nuk ka asnjë dosje për ndonjë aktivitet të paligjshëm. Ambasada britanike do të vazhdojë ta ndjekë deri në fund këtë çështje, duke besuar të shikojë dhënien e drejtësisë sa më shpejt.

Në vitin 2000, fermerët e Komunës së Shkrelit, në Malësi të Madhe, të mbështetur nga shoqata humanitare britanike, nisën kultivimin e kërpit industrial, por në vitin 2005 policia asgjësoi parcelat e tyre, për të cilat tha se ishin të mbjella me bimë narkotike të tipit canabis sativa. Gjithashtu, policia arrestoi disa dhjetra fermerë, së bashku me kryetarin e shoqatës së tyre, por, që më pas, u lanë të lirë. Që nga viti 2005 beteja ligjore vazhdon me shtyrje të here pas herëshme të seancave gjyqësore. Policia dhe prokuroria akuzojnë fermerët për kultivim të bimëve narkotike, ndërkohë që vetë fermerët pohojnë se kanë mbjellë kërp industrial.

Në fillim të këtij viti, Gjykata e Shkodrës zbardhi vendimin, përmes të cilit 53 fermerë të Shkrelit dënoheshin me 5-7 vjet burg, ndërkohë që disa dhjetra të tjerë vazhdojnë procesin gjyqësor.

Procesi gjyqësor ndaj fermerëve të Shkrelit përfshinë numrin më të madh të të akuzuarve në Shqipëri për kultivim të bimëve narkotike. Po ndërkohë, ai ështe edhe procesi më i tejzgjatur, në gjykatat shqiptare, për këtë vepër penale.
XS
SM
MD
LG