Lidhje

Shpresa të vakëta në Greqi për planin e ri evropian në përgjigje të krizës


Shpresa të vakëta në Greqi për planin e ri evropian në përgjigje të krizës
Shpresa të vakëta në Greqi për planin e ri evropian në përgjigje të krizës

Udhëheqësit evropianë që po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për krizën ekonomike greke, janë përqendruar kryesisht në masat që mund të marrin bankat për të pakësuar borxhin masiv të këtij vendi. Në Greqi, popullata po i ndjek me dyshim takimet e fundit të udhëheqësve të BE, ndërkohë që shumë grekë po vuajnë dukshëm pasojat e shkurtimeve buxhetore të qeverisë së tyre.

Grekët presin rezultatin e takimit të Këshillit Evropian që do të vendosë si ta reduktojë borxhin grek. Shumë prej tyre nuk ngushëllohen nga mobilizimi i fundit i BE dhe e shohin edhe këtë tentativë si shpresë e vakët për ta nxjerrë vendin nga kriza:

“Ata kanë treguar se nuk mund të marrin vendime serioze. Pikërisht kjo më zhgënjen, pra jo vendimi. Ma do mendja se po vazhduan kështu, do t’i vijë fundi Evropës së bashkuar. Nuk jam tepër i shqetësuar nga shkurtimet, pasi këto janë çështje ekonomike. E kam të qartë se gjërat do të keqësohen më tej për ne, por ajo që më shqetëson më tepër është se udhëheqësit evropianë nuk bien dakord për asgjë”.

Por ka plot grekë të tjerë që e kanë ndjerë drejtpërdrejt peshën e shkurtimeve dhe kanë ngritur zërin në revoltë kundër tyre. Greva masive kanë përfshirë Greqinë prej muajsh. Pas afro 3 javësh greve nga punonjësit e shërbimeve komunale, pirgjet të mëdha plehrash vërehen kudo në Athinë. Tani sindikata e ka ndalur grevën, por qeveria nuk ka fonde për të paguar punonjës jashtë orarit dhe mbledhja e plehrave mund të dojë javë të tëra.

Banorët e Athinës kanë qenë këto ditë përballë një sfide tjetër të madhe në qytetin e mbingarkuar. Transporti publik ka organizuar greva të herëpashershme, duke krijuar kaos në trafik dhe oraret e udhëtarëve.

Tani i ka ardhur radha klasës së mesme që, nga shkurtimet e buxhetit mund të humbasë privilegje që i ka konsideruar të garantuara prej kohësh. Për Sotiris Grizas, themelues i Partisë socialiste PASOK, jeta po keqësohet:

“Unë jam PASOK-u, jo ata. Ata përfaqësojnë diçka krejt tjetër. Nuk e kemi të qartë se çfarë. Qeveria e Papandreut nuk e ka idenë se çfarë është socializmi. Ata nuk janë socialistë grekë, ata s’po ndjekin modelin skandinav. Janë diçka e huaj, si nga një planet tjetër”.

Ndërkaq, kriza ka detyruar shumë grekë të mbetur pa punë në këtë krizë, t’i kthejnë sytë nga shoqatat bamirëse për shërbimet e nevojshme. Janis Kristopulos thotë se i falimentoi biznesi nga kriza. Tani i papunë, ai është detyruar ta dërgojë djalin në një spital për azilantët me shërbim falas, pasi nuk mund të paguajë në spitalet e rregullta.

Kohët e fundit ka pasur rritje të madhe të numrit të grekëve që shfrytëzojnë klinika të tilla të ngritura si bamirësi për imigrantë të huaj.

“Shumë prej tyre janë pa punë. Nuk kanë sigurime sociale, pra nuk mund të marrin shërbim mjekësor falas. Por problemi nuk është vetëm tek shëndeti, shpesh na kërkojnë edhe artikuj ushqimorë. Është për t’u çuditur, pasi kishim menduar se kjo lloj varfërie kishte marrë fund në vend”.

Me uljen e rrogave mesatarisht në masën 30 për qind dhe ndërkohë që papunësia tek 16-24 vjeçarët llogaritet në 42 për qind, grekë të revoltuar kanë zaptuar rrugë e sheshe kryesore për të shprehur zemërimin e tyre ndaj masave qeveritare. Protestat kanë precipituar shpesh në dhunë dhe policia u detyrua në disa raste të përdorte gazin lotësjellës dhe masa të tjera për të shpërndarë turmën.

Për disa grekë, ky qorrsokak pa krye i ka bërë të mendojnë seriozisht për alternativën e emigracionit, ndërkohë që pesha e masave qeveritare pritet të ndihet për vite me radhë vend.

XS
SM
MD
LG