Lidhje

Shqetësimet rreth paketës së re fiskale në Shqipëri


Në Tiranë, analistë ekonomie dhe grupe interesi po debatojnë me shqetësim mbi paketën e re fiskale, që shoqëron projekt-buxhetin e vitit 2018.

Ata shprehin kritika lidhur me klientelizmin dhe shkeljet ligjore, që po bëhen me këtë rast në favor të pak bizneseve pranë qeverisë socialiste.

Në Tiranë, analistë ekonomie dhe grupe interesi po përcjellin dhe debatojnë me shqetësim në Tiranë mbi paketën e re fiskale, që shoqëron projekt-buxhetin e vitit 2018.

Ata shprehin kritika lidhur me klientelizmin dhe shkeljet ligjore, që bëhen në këtë rast në favor të bizneseve pranë qeverisë socialiste.

Paketa e re fiskale për vitin 2018 propozon 4 ndryshime të rëndësishme në 6 ligje: Heqja e tvsh (taksa e vlerës së shtuar) për shërbimet në hotele me 5 yje, heqja e taksës së pronës për hotele me 4 dhe 5 yje, heqja e tatim fitimit për 10 vjet për hotelet me 4 dhe 5 yje, si dhe heqja e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja të këtyre hoteleve.

Gjergj Erebara, analist i agjencisë BIRN, thotë se asnjëherë më parë nuk janë ndryshuar kaq shumë ligje për të fituar aq pak njerëz.

“Shqipëria po bëhet përditë e më shumë në një republikë bananesh, ku ligjet bëhen në përfitim vetëm të një grupi të vogël personash” - tha zoti Erebara.

Sipas tij, paradoksi tjetër me këtë paketë fiskale është që disa biznese luksoze nuk do të paguajnë disa taksa, të cilat paguhen masivisht nga popullata.

Me skepticizëm dhe madje me zemërim komentohen ndryshimet e fundit nga përfaqësues të pronarëve.

“Qeveria po u ul taksat grabitësve të pronave tona, në vend që të kthejë pronat e rrëmbyera nga regjimi komunist dhe spekulantët e tranzicionit tek pronarët e ligjshëm të tyre” - tha Gëzim Boçari, një nga përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.

Qeveritë e tranzicionit e ngatërruan aq shumë çështjen e pronave me ligje e vendime të përkohshme, thotë zoti Boçari, sa që tani vetë shteti është kriminalizuar me këtë temë, derisa ka shkelur edhe Kushtetutën dhe është futur në anarki institucionale.

Ai shton se investime vendase e të huaja nuk mund të ketë në një vend ku mbi 70 për qind e gjyqeve janë për konflikte pronësore.

Përfaqësues të pronarëve pohojnë se qeveria mund të zgjidhë pa kosto cështjen e pronave, taksave dhe reformave të tjera vetëm pas këmbënguljes së SHBA dhe BE për të zbatuar ligje të ngjashme me Uashingtonin dhe Brukselin.

Ndërsa vëzhgues të zhvillimeve ekonomike besojnë se mungon vullneti politik i qeverisë dhe subjekteve politike për të zgjidhur vështirësitë ekonomike në dobi të sa më shumë njerëzve, por ata thjesht improvizojnë për të rritur fitimet e një grupi të vogël biznesesh kliente të politikës dhe gjithë barrën e taksave ua shkarkojnë qytetarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG