Policia shqiptare po zhvillon në një zonë rurale të Përmetit në jug të Shqipërisë një operacion antidrogë. Sipas policisë në një magazinë të mbyllur është zbuluar një sasi e madhe marijuane që mendohet se është në disa tonë dhe besohet se është sasia më e madhe e lëndës narkotike e gjetur në Shqipëri.
Magazina e zbuluar ndodhet në fshatin Pagri të Përmetit dhe fotot e publikuara nga policia flasin per disa tone marijuane te paketuar ne thase plastike.
Nderkohe, Policia shqiptare tha sot se falë një operacion të përbashkët antitrafik ndërkombëtar me policinë greke dhe italiane është bllokuar rreth 1,4 tonë marijuanë dhe janë arrestuar tre skafistët që po e dërgonin lëndën narkotike drejt Italisë.
Sipas burimeve zyrtare një skaf super i shpejtë u nis nga Vlora dhe pas ndjekjes policore u drejtua në brigjet e Korfuzit në Greqi ku devijoi më pas drejt hapësirës detare me Italinë. Mjete të rojës bregdetare italiane dhe greke përfshirë dhe ndjekjen nga ajri me elikopterë kanë arritur bllokimin e skafit. Policia italiane ka arritur të mbledhë në det rreth 1, 4 tonë marijuanë që ishte hedhur nga tre skafistët para arrestimit.
Policia shqiptare po kryen sot kontrolle në Vlorë dhe në Fier ku banonin skafistët dhe po heton për zonën ku ishte kultivuar marijuana që po transportohej drejt Italisë. Si autoritet policore greke dhe ato italiane kanë premtuar mbështetje për policinë shqiptare për të frenuar trafikun e narkotikëve që këtë vit ka marrë përmasa.
Rrjete të fuqishme trafiku janë ringjallur në Vlorë dhe në Pulia të Italisë duke transportuar përmes hapësirës detare mes të dy vendeve disa dhjetëra tonë marijuanë që u kultivua vitin e shkuar në Shqipëri. Afrimi i sezonit turistik e vështirëson punën e policive kufitare për shkak të shtimit të mjeteve të lundrimit në det dhe pamundësisë për të identifikuar mjetet e trafikantëve.
Facebook Forum