Lidhje

Kadeli bashkohet me grupin parlamentar të LSI


Deputeti i Partisë Demokratike Gjovalin Kadeli deklaroi mbrëmë, gjatë një interviste televizive, largimin e tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe bashkimin me grupin parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo e çon në 19 numrin e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa shumicën parlamentare në 85 deputetë.

Kadeli është deputeti i dytë që, pas zgjedhjeve të 23 qershorit i bashkohet Lëvizjes Socialiste për Integrim. Më parë, me këtë forcë politike u bashkua deputeti i Partisë Republikane, Luan Duzha.

Deri disa javë përpara fillimit të fushatës elektorale për Zgjedhjet Parlamentare të këtij viti, Gjovalin Kadeli ishte deputet i Partisë Socisliste, por në muajin prill ai deklaroi largimin për shkak të lënies jashtë listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Pas këtij vendimi, ai u rreshtua përkrah grupit parlamentar të Partisë Demokratike duke mbështetur me votë disa vendime të rëndësishme të Qeverisë Berisha. Kjo ishte edhe arsyeja që Partia Demokratike e përfshiu Kadelin në listën fituese të kandidatëve të saj për deputetë në Qarkun e Lezhës.
XS
SM
MD
LG