Në Shqipëri Ministria e Jashtme thirri sot në takim ambasadorin e Maqedonisë, pas notës së djeshme të protestës së Shkupit ndaj qëndrimeve të autoriteteve të Tiranës lidhur me zhvillimet e fundit në vendin fqinj.
Ministria e Jashtme shqiptare ka shprehur “keqardhjen dhe pakënaqësinë për moskuptimin e mesazheve të përcjella nëpërmjet deklaratave të zyrtarëve shqiptarë”, të cilat janë parë nga Shkupi si një ndërhyrje në punët e brendshme.
Sot gjatë takimit me ambasadorin e Maqedonisë, ministria e jashtme e Shqipërisë vuri në dukje se “këto deklarata nuk mund të konsiderohen si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Ato përbejnë një shprehje të natyrshme të shqetësimit për situatën e krijuar dhe njëkohësisht bëjnë thirrje për maturi dhe gjetjen e zgjidhjeve”.
Ministria shqiptare “rishprehu shqetësimin për dhunën e ushtruar gjatë demonstratave” dhe theksoi se “kjo mënyrë sjelljeje nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes, dëmton marrëdhëniet ndër-etnike e harmoninë midis komuniteteve”.
Ndërsa është ritheksuar qëndrimi i Shqipërisë në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë “ambasadorit maqedonas ju theksua se nota verbale e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë lë përshtypjen se është më shumë një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga thelbi i çështjes. Shkaqet e këtyre situatave – ka nënvizuar pala shqiptare -duhen kërkuar brenda Maqedonisë dhe tek mos zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. Çdo përpjekje për të kërkuar shkaqe apo faktorë te tjerë dhe për më tepër jashtë kufijve të Maqedonisë, do të ishte joproduktive”, nënvizon ministria e jashtme e Shqipërisë.