Lidhje

Shqipëri, ashpërsohen polemikat për çështjen e zgjedhjeve


Në Shqipëri kryeministri Edi Rama foli sot sërish për një akt në shkelje të kushtetutës nga ana e presidentit Ilir Meta, me anullimin e 30 Qershorit si datë të zgjedhjeve vendore. Në parlament gjatë seancës dedikuar kësaj çështjeje, ai ritheksoi se zjedhjet do të mbahen në datën e caktuar. Nga ana e tij kryetari demokrat Lulzim Basha tha sot se me përpjekjet e tij kryeministri po konsumon një grusht shteti dhe se 30 Qershori nuk ekziston më si datë nga pikëpamja kushtetuese

Shqipëri, polemikat për anullimin e datës së zgjedhjeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:53 0:00

“Një akt brutal, transgresiv, i papërgjegjshëm dhe i patolerueshëm”. Me këto fjalë kryeministri Edi Rama etiketoi vendimin e së hënës të presidentit Iir Meta për anullimin e datës së zgjedhjeve. Duke folur më tej për aventura politike që sipas tij bëhen për llogari të njërit apo dikujt tjetër, zoti Rama ripërsëriti qëndrimin e tij dhe të shumicës që drejton se "ne nuk ka asgjë që na tund nga 30 qershori. Pse ne jemi të detyruar ta pranojmë si të keqen më të vogël për demokracinë tonë të re, zgjedhjen fatale, të gabuar, të kundërshtarëve tanë për të na lënë në garën zgjedhore me një kandidat në pjesën më të madhe të bashkive të vendit. Pse ne, nëse do tërhiqeshim nga ky proces, në emër të të gjithë atyre arsyeve që në pamje të parë duken të mirëkuptueshme kur renditen për të argumentuar shtyrjen e zgjedhjeve, ne do të merrnim përgjegjësinë historike të pranimit të së keqes më të madhe të mundshme, duke i vënë minat shtetit, bazës së rregullave të bashkëjetesës demokratike dhe vetë demokracisë sonë në zhvillim”.

Zoti Rama foli për lëvizje të llogaritura të Presidentit të rreshtuar politikisht dhe në bashkëpunim me ish kryeministrin Sali Berisha, që sipas tij e kanë bazën te zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe pengimi I procesit të integrimit europian, por që me dekretin për anullimin e datës kanë kaluar përtej imagjinatës, e “prandaj nuk mund të tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit me pëlqimin tonë. Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe Presidenti i kësaj Republike është garant i unitetit kombëtar, jo interpretuesi subjektiv i Kushtetutës në funksion të sulmeve kundër Republikës sonë parlamentare dhe të qëllimeve të mbrapshta politike të kujtdo qoftë. Lëre pastaj që qëllimet e mbrapshta, janë edhe të tijat”

Socialistët deklaruan dy ditë më parë se kishin nisur proceduerat për shkarkimin e presidentit Meta, por deri më tani, kërkesa e një të katërtës së deputetëve që përbën dhe hapin e parë, nuk është zyrtarizuar ende. Ndërsa në fund të seancës së sotme miratuan një reozlutë të posaçme e cila mori dhe votat e shumë prej deputetëve të rinj të opozitës.

Por sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha, kryeministri po realizonte vetëm një teatër propagandistik për të tërhequr vëmendjen nga kriza e rëndë në të cilën, sië tha ai ndodhet vendi. “Sfidimi i hapur që Edi Rama bën, përpjekja për të vendosur 30 Qershorin në qendër të debatit, kur 30 Qershori zyrtarisht nuk përbën më, një datë zgjedhjesh nga pikëpamja kushtetuese, por nga pikëpamja politike dhe njerëzore një datë krimi kushtetues, grushti shteti dhe krimi mbi çdo shqiptar, ky sfidim bëhet më një qëllim, që Edi Rama të ketë mundësi të negociojë për kokën e tij dhe pasurinë e tij", u shpreh zoti Basha.

Ndërsa ritheksoi se largimi i kryeministrit është hapi i parë për zgjidhjen e krizës, zoti Basha foli sërish për një qëndresë të qytetarëve: “Në kushtet kur Edi Rama dhe banda në pushtet e kriminelëve dhe oligarkëve dhe politikanëve të kapur në flagrancë me ta, po shkon drejt konsumimit të qartë të grushtit të shtetit, është detyra e çdo shqiptari, të bëjmë së bashku atë që bën çdo popull i civilizuar kur kërcënohet më grusht shtetit: të rezistojmë, të qëndrojmë, të luftojmë dhe e të fitojmë”.

Ndaj seancës së zhvilluar në parlament ku u debatua rreth dekretit të tij, reagoi pasdite dhe presidenti Ilir Meta. Këshilltari i tij juridik Bledar Dervishi tha se retorika e përdorur kundër kreut të shtetit nuk i shërben zgjidhjes së krizës dhe paqes sociale ne vend. “Eshtë një akt që është marrë në mbështetje të plotë me dispozitat Kushtetuese dhe parimeve themelore të mbrojtura prej saj. Ky akt i Presidentit të Republikës, është marrë bazuar tërësisht në argumente Kushtetues, ai është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Akti i Presidentit të Republikës, për shfuqizimin e Dekretit për caktimin e datës 30 qershor, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, në zbatim të parashikimeve kushtetuese; referuar praktikës kushtetuese; referuar marrëdhënieve juridiko-shoqërore që ai rregullon, si dhe referuar argumenteve kushtetuese mbi bazën e të cilëve është marrë, e bën Dekretin e Presidentit një akt me natyrë krejtësisht të veçantë, dhe si i tillë, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë apo anti-kushtetutshmërinë e tij”.

Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e ka vlerësuar atë si një “akt administrative totalisht i pavlefshëm”, dhe po vijon përgatitjet për zgjedhjet e 30 Qershorit”. Këshilltari i Presidentit u shpreh nga ana e tij se “Ky organ është i detyruar ta zbatojë atë. Çdo anashkalim i detyrave nga ky institucion dhe përgjegjësive të veta nga ana e këtij organi është i patolerueshëm nga ligji”, theksoi zoti Dervishaj, ndërsa shtoi se “Presidenti i Republikës i siguron gjithashtu qytetarët e Shqipërisë se ata do të votojnë përtej 30 qershorit, në një datë sa më të afërt, në një situatë të qetë dhe në mënyrë të lirë e të ndershme”. Prej dy ditësh, zoti Meta ka nisur konsultimet me partitë politike për të caktuar një datë të re zgjedhjesh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG