Lidhje

Shtetet e ishujve të vegjël diskutojnë mbi ndryshimin e klimës


Ekspertë nga më shumë se 50 vende-ishuj të vegjël po takohen këtë javë në Mauritius, për të diskutuar mbi ndryshimin e klimës dhe sigurisë ushqimore. Të ashtuquajturat Shtete Ishuj të Vegjël në Zhvillim banohen nga më shumë se 50 milionë njerëz.

Kombet e ishujve të vegjël përfshijnë Haitin, Fixhin, Xhamajkën dhe Mauritiusin, vend i cili po organizon takimin, i quajtur Ekonomitë e Ishujve të Vegjël: Nga dobësitë tek mundësitë. Ndër ata që marrin pjesë është edhe Michael Hailu, drejtor i Qendrës për Bashkëpunim Bujqësor dhe Rural.

“Vendet ishuj të vogla në zhvillim kanë shumë dobësi për shkak të përmasës së tyre të vogël. Për të ardhurat e tyre ato varen shumë nga mallra të vetme apo turizmi. Ato janë gjithashtu të prekshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive të tjera natyrore. Pra këto vende përballen me një grup shumë të veçantë problemesh.”

Zoti Hailu thotë se shtetet dhe territoret e ishujve të vegjël janë duke vënë re tashmë efektet e ndryshimit të klimës.

“Në shumë prej këtyre ishujve, ka kushte atmosferike ekstreme, ka uragane dhe periudha të thata më të shpeshta dhe gjëra të tjera si këto. Pra, ata janë shumë të ndjeshëm dhe kanë pësuar shumë fatkeqësi natyrore si për shembull Haiti e shumë ishuj të tjerë që janë ballafaquar me këto probleme.”

Ato vende janë gjithashtu të shqetësuara lidhur me paqëndrueshmërinë e çmimeve të ushqimit, një fenomen që është kthyer në normalitet që nga kriza ushqimore globale e vitit 2007-2008.

“Ndikimi i krizës së ushqimit ka qenë mjaft i madh në vendet e vogla, sepse ato importojnë shumë prej ushqimeve të tyre nga jashtë, kryesisht për t’iu përgjigjur kërkesës prej numrit të madh të turistëve që shkojnë në to. Dhe kur çmimet rriten në nivel global, ato janë shumë të prekura për sa i përket e faturave të tyre të importit. Por tani këto shtete po i kushtojnë gjithmonë e më tepër vëmendje zhvillimit të bujqësisë së tyre lokale.”

Analisti Hailu thotë se kjo jo vetëm që redukton faturat e ushqimeve të importuara, por gjithashtu u siguron konsumatorëve atë që ai e quan një alternativë lokale e shëndetshme.

Pjesëmarrësit e konferencës janë duke shqyrtyar të dyja sfidat dhe mundësitë që mund të krijohen.

“Objektivi i takimit është në thelb të shohim se si këto vende mund të përmirësojnë elasticitetin e tyre lidhur me këto lloje problemesh, dhe se si ato mund të përmirësojnë mundësitë e tyre për të reaguar ndaj këtyre krizave, me të cilat ballafaqohen shpesh.”

Kombet e ishujve pritet që të shprehin shqetësimet dhe idetë e tyre në konferencën për zhvillim të qëndrueshëm Rio+20, e cila do të zhvillohet në qershor. Organizata e Kombeve të Bashkuara klasifikon 52 vende dhe territore, si Shtete të Vogla Ishuj me ekonomi në zhvillim. Shumica prej tyre ndodhen në rajonet e Karaibeve dhe Paqësorit.

XS
SM
MD
LG