Lidhje

Shqetësim për sulmet e Presidentit Trump ndaj shtypit


Uashingtoni, strehë për mijëra gazetarë dhe mbrojtës së lirisë së shtypit, tani po gumëzhin nga sulmet gjithnjë e më të ashpra të presidentit Donald Trump mbi median. Ligjvënësit amerikanë po e shqyrtojnë këtë çështje, me senatorin republikan John McCain që i tha një rrjeti televiziv se goditja mbi lirinë e shtypit është “mënyra sesi fillojnë diktaturat.”

Një ditë pasi i quajti agjencitë e lajmeve “armikun e popullit amerikan”, presidenti Trump vazhdoi sulmet e pamëshirshme ndaj medias në një miting në Florida.​

“Ata u bënë një pjesë e madhe e problemit, ata janë pjesë e sistemit të korruptuar. Kur media gënjen njerëzit unë nuk kam për t’i lejuar asnjëherë dhe do të bëj çfarëdo të mundem që të mbajnë përgjegjësi. Ata kanë axhendën e tyre dhe ajo nuk është axhenda juaj.”

“Kjo është ajo që dëgjon nga diktatorët kur ata duan të kontrollojnë të gjithë informacionin”, thotë ligjvënësi Adam Schiff.

Ligjvënësit e të dyja partive ankohen shpesh për mbulimin e ngjarjeve nga media, por mbrojnë një media të lirë dhe distancohen nga fjalët e zotit Trump.

“Nga të gjitha gjërat që ka thënë që kur u bë president apo qysh nga zgjedhjet, kjo për mua është më shqetësuesja dhe më alarmantja – që ai e sheh Amendamentin e Parë të Kushtetutës, pasi atë përfaqësojnë këto organizata, si armikun e popullit. As Nixoni nuk shkoi deri aty.”

Një senator republikan publikoi në Tweeter disa fragmente nga Billi i të Drejtave që garanton lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit. Të tjerë kërkuan të minimizojnë polemikën.

“E shoh presidentin Trump që shpreh opinionin e tij më mënyrën e tij të spikatur. Por nuk shoh prova që të vihen përpara e të tregojnë ndonjë legjislacion që kufizon median.”

"Nuk më pëlqejnë shumë tweet-et e Trumpit. Ajo që më intereson është ajo çfarë po bën.”

Disa anëtarë të kabinetit të zotit Trumpi e kanë distancuar veten nga deklaratat e presidentit.

“Kam patur disa përplasje me median por jo, shtypi për mua është pjesë e elektoratit tonë dhe nuk kam asnjë problem me të”, tha Sekretari i Mbrojtjes James Mattis.

Ndërsa protestat sporadike kundër presidentit Trump vazhdojë në mbarë vendin, mbështetësit e tij të zjarrtë i bëjnë jehonë mesazhit të tij.

"Ai ka të drejtë, pasi fatkeqësisht shumica e mediave shtrembërojnë ose e thurin informacionin për qëllimet e tyre. Ata shpresonin që Hillary Clinton do të fitonte por ajo humbi”, thotë Hamilton Campos, përkrahës i presidentit Trump.

Ndërsa grumbullon përkrahësit, zoti Trump duket gjithashtu se po gjallëron grupe që kërkojnë ta sfidojnë administratën e tij në gjykatë. Organizata amerikane të të drejtave civile njoftojnë për një rritje të donacioneve që nga inaugurimi i presidentit muajin e kaluar.

XS
SM
MD
LG