Ish-guvernatori i Kalifornisë dhe njëkohësisht ylli i Hollivudit, Arnold Shvarceneger shkoi në vendlindjen e tij Austri për të zbuluar një statujë të madhe bronzi kushtuar atij vetë.
Statuja është e vendosur në një muze që pasqyron jetën e tij. Qindra njerëz kishin dalë për të parë Shvarcenegerin, i cili vizitoi Austrinë me djalin e tij, Patrik.
Muzeu në fshatin Tal u hap në korrik në shtëpinë ku ai u rrit. Muzeu përfshin objekte që shënojnë momente të rëndësishme në jetën e aktorit, si veglat që ai përdorte për të ndërtuar muskujt, apo një tryezë druri që ndodhej në zyrën e tij kur ishte guvernator.
Shvarcenegeri tha se e kishte kthyer shtëpinë e fëmijërisë në muze për të dhënë mesazhin se çdo njeri mund të ketë sukses në jetë.
Shvarcenegeri e filloi karrierën si body builder, pastaj u bë aktor. Ai e arriti kulmin e suksesit me filmat aksion, të tillë si Conan the Barbarian dhe seriali Terminator.
Shvarcenegeri, i cili ka shtetësinë amerikane, ka qenë guvernator i Kalifornisë nga 2003-shi deri në fillim të këtij viti.