Lidhje

Shqipëri: SIDA po përhapet me shpejtësi, të prekurit diskriminohen nga shoqëria


Shqipëri: SIDA po përhapet me shpejtësi, të prekurit diskriminohen nga shoqëria
Shqipëri: SIDA po përhapet me shpejtësi, të prekurit diskriminohen nga shoqëria

Shoqata Shqiptare e Personave që jetojne me HIV/SIDA sapo ka marre një çmim të rendësishëm ndërkombëtar për ndihmën që u jep këtyre qytetare në Shqipëri. Drejtuesja e kësaj shoqate, që njihet në Tiranë me pseudonimin Teuta, thotë se Çmimi Red Ribbon është rezultat i përpjekjeve të mëdha për të mbrojtur personat që jetojnë me HIV apo SIDA, të cilët po shtohen shpejt në numër.

Zëri i Amerikës: Zonja Teuta, shoqata që ju drejtoni ka marrë këto kohë një çmim të veçantë në konferencën ndërkombëtare të Vienës për veprimtarinë e saj në ndihmë të njerëzve që jetojnë më HIV/AIDS. Ҫ'mund të thoni më tepër për këtë çmim dhe renditjen e Shqipërisë përkrah organizatave të tjera në botë, që përpiqen në këtë fushë?

Teuta: Ky është një çmim prestigjoz që jepet nga UNAIDS dhe UNDP. Ёshtë çmimi i Fjongos që Kuqe për vitin 2010, Red Ribbon 2010. Këtë vit, një nga 25 organizatat fituese nga 720 aplikime, ishte Shoqata Shqiptare e Personave që Jetojnë Me HIV/AIDS. Ёshtë kurorëzim i gjithë përpjekjeve tona si grup interesi për të luftuar për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të personave që jetojnë me HIV/AIDS në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Cilat janë përmasat e këtij komuniteti njerëzish në Shqipëri? Një pjesë e madhe e tyre jetojnë ende në fshehtësi... Zyrtarët, a e njohin mirë dhe a e pranojnë realitetin?...

Teuta: Numri i rasteve të diagnostikuara po afron tek 400 persona. Në dy vitet e fundit, 2008 - 2009, ka patur një mesatare prej 50 rastesh të reja në vit. Këtë vit, pra 2010, deri në muajin maj ka patur 20 raste të reja të diagnostikuara. Grup-moshat dhe shtrirja gjeografike janë nga të gjitha brezat dhe në të gjithë territorin. Përqindjen më të madhe e ka Tirana dhe me gruposhat 24-40 vjeç. Bëhet fjalë për mosha relativisht të reja. Problemi qëndron se testimi i popullatës për HIV/AIDS është akoma në nivele të ulta, prandaj nuk mund të themi se cila është situata reale.

Zëri i Amerikës: Nga të dhëna të tërthorta, sa është shtrirë ky problem në shoqërinë dhe në rininë shqiptare, që ndoshta ende nuk ka kulturën e masave mbrojtëse dhe parandalimit?

Teuta: Në bazë të studimeve dhe vëzhgimeve të ndryshme vlerësohet se numri real mund të jetë 10-15 herë më i lartë se shifrat zyrtare të të diagnostikuarve deri tani. Për këto shifra flitet në Shqipëri. Nuk flasim për një pandemi, apo epidemi, por në bazë të studimeve që bëjnë specialistët. Se sa është situata reale askush nuk e di. Niveli i testimit akoma është shumë i ulët. Njerëzit hezitojnë të shkojnë dhe të testohen kur kanë një problem. Shumica e rasteve zbulohen si raste terminale, pra kur shkojnë në spital për diagnoza të tjera.

Zëri i Amerikës: Zonja kryetare! Një organizatë shqiptare sapo ka marrë një çmim botëror për përpjekjet e mëdha që bën në mbështetje dhe në ndihmë të personave që jetojnë me HIV?AIDS. A mund të thuhet e njëjta gjë, që edhe administrata shqiptare ka të njëjtën ndjeshmëri dhe të njëjtën mbështetje ndaj këtij komuniteti?

Teuta: Kur unë jam përballur për herë të parë me realitetin në vitin 2003, gjeta një realitet të papërgatitur. Fakti që edhe në këto vite punojmë kaq fort dhe kërkojmë të drejtat tona, do të thotë që institucionet shtetërore janë të papërgatitura për të na pritur ne në të gjitha aspektet. Kemi ndeshur probleme me kujdesin dhe trajtimin e pacientëve, që u mungojnë ilaçet dhe kujdesi profesional. Kemi ndeshur me diskriminimin e fëmijëve, që nuk i pranojnë në shkollë. Kemi probleme me punësimin, se nuk na marrin në punë. Kemi probleme me braktisjen e këtyre personave nga familjarët dhe nga të afërmit e tyre. Shpesh këta të braktisur me AIDS jetojnë në rrugë dhe shesin seksin në këmbim të të hollave për të siguruar mbijetesë.

Pra, në vend që të kudesemi për një person të infektuar, ne bëhemi bashkëfajtorë që sëmundja të përhapet në më shumë të tjerë. Shteti ka miratuar një ligj ku shkruhet se garanton mjekimin me këto medikamente, por ndërkohë janë vetë institucionet shtetërore ato që me ngadalësinë në zbatimin el igjeve, me ngadalësinë në lëvizjen e mekanizmave të tyre, arrijmë në situata të tilla kur pacientët janë pa mjekim. Sepse fondet për ilaçet e AIDS-it përdoren për mjekime të tjera, apo ilaçet e AIDS-it ngecin për javë të tëra nëpër doganat e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Kur thoni që shteti shqiptar është ende i papërgatitur, c'mund të thuhet për shoqërinë shqiptare?

Teuta: Ne shpesh paragjykohemi, përjashtohemi, injorohemi, braktisemi. Të gjitha anët negative që mund të shfaqë një komunitet mund t'i provosh në Shqipëri, nëqoftëse jeton me HIV/AIDS. Ne nuk jemi statistika dhe shifra që duhet të raportohemi në çdo 1 dhjetor, kur është Dita Botërore e HIV/AIDS. Ne jemi qenie njerëzore, pavarësisht se mbartim një virus brenda vetes tonë. Ne jemi humanë dhe duhet ta jetojme jetën si gjithë të tjerët.


XS
SM
MD
LG