Lidhje

SHBA: Debati për sulmet kibernetike ruse ndaj sistemeve zgjedhore


Në Shtetetet e Bashkuara vazhdojnë polemikat mbi dyshimet për sulme kibernetike nga Rusia ndaj sistemeve kompjuterike të përdorura nga subjektet politike amerikane. Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter e paralajmëroi Rusinë të mos ndërhyjë në zgjedhjet amerikane të nëntorit. Megjithatë, kandidati republikan për president Donald Trump thotë se ai ka dyshime ndaj teorisë se Rusia është përfshirë në këto veprime.

Zgjedhjet, zemra e demokracisë amerikane, janë në qendër të debatit.

Sistemi amerikan i zgjedhjeve është i decentralizuar. Votat mblidhen aty ku jetojnë njerëzit, dhe pastaj secili shtet kujdeset për sigurinë në sistemin e vet zgjedhor, përfshirë numërimin e votave. Kjo metodë ka për qëllim të pakësojë mundësitë për manipulime.

Mund të përfytyroni tronditjen që duhet të ketë shkaktuar te zyrtarët e zgjedhjeve në Arizona, njoftimi i FBI-së për ndërhyrje kibernetike në sistemin e tyre. Ekspertët gjithashtu fajësojnë Rusinë për ndërhyrjen në sistemin e emailave të Partisë Demokrate.

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Gjeorgji dhe Kazakistan, William Courtney thotë se Rusia do të shihet si një manipuluese e madhe nëse i vazhdon këto sulme.

"Fuqitë e mëdha duhet të punojnë me njëra-tjetrën për të përmbushur objektivat e tyre. Për shembull, Shtetet e Bashkuara dhe Kina po punojnë së bashku për çështjen e ngrohjes globale. Një fuqi e madhe nuk mund të ekzistojë në izolim."

Kandidati republikan për president, Donald Trump tha në një intervistë për një kanal televiziv rus se ai nuk beson që Rusia të jetë e përfshirë:

"Vështirë të ketë ndodhur."

Presidenti rus Vladimir Putin mohon çfarëdo lidhje me sulmet kibernetike.

"Këto strategji zbatohen me miratim nga nivelet më të larta," thotë senatori demokrat, Ben Cardin.

Shqetësimi është tani për ndonjë ndërhyrje ruse në zgjedhjet e përgjithshme, që do të ndikonte në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

"Në qoftë se ata do të mund të demonstronin se kanë patur ndikim në zgjedhje, kjo do të krijonte mosbesim në rezultatin e zgjedhjeve, paqëndrueshmëri dhe do të ishte një fitore e madhe për ta," thotë senatori republikan Bob Corker.

Ish ambasadori Courtney thotë se Departamenti i Sigurisë Kombëtare duhet të mbrojë sistemet zgjedhore, si pjesë të "infrastrukturës kritike" të vendit.

"Kjo do të thotë se qeveria amerikane do të duhet të angazhohet në mënyrë aktive për të inkurajuar ato organizata që të jenë të mbrojtura mirë nga sulmet kibernetike, që të kenë anti-virus dhe programe të tjera kompjuterike."

Por tani mund të jetë tepër vonë ndërkohë që kanë mbetur më pak se 60 ditë nga zgjedhjet.

XS
SM
MD
LG