Lidhje

Suksesi i imigrantëve në Sillicon Valley


Silicon Valley në Kaliforni, e njohur si qendër globale e novacionit të teknologjisë së lartë, është edhe një shembull suksesi për imigrantët. Në vitin 2013, dy kompani të reja të themeluara nga imigrantë ishin mes të pesë kompanive më të mëdha në Silicon Valley për nga kapitali që mblodhën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Saqib Ul Islam i hedh një vështrim suksesit që të sapoardhurit në Amerikë kanë gjetur në industrinë e teknologjisë.

Silicon Valley në Kaliforni ofron një platformë ku ëndrrat mund të kthehen në realitet. Për shumë imigrantë, ardhja në Amerikë është objektiv më vete. Të tjerët ëndërrojnë më shumë.

Qasar Younis është një shembull i tillë. Sot, ai është një nga drejtuesit e një prej firmave më të mëdha financiare në Silicon Valley, “Y Combinator”. Ai është rritur në një fshat të largët të provincës Punjab në Pakistan dhe thotë se e dinte se mund të arrinte sukses të madh në Silicon Valley:

"Mendoj se përveç Amerikës, Silicon Valley është një pjesë unike e përvojës sime. Më shumë se gjysma e kompanive në Silicon Valley janë themeluar nga imigrantët."

Younis, dikur pronar i një kompanie që e kishte themeluar vetë, tani është drejtues ekzekutiv i kompanisë “Y Combinator”, e cila ndihmon bizneset e reja.

Zoti Younis është një investitor i cili beson se kompanitë e reja do të kenë sukses dhe në këmbim të huazimit të parave në formë kredie ai merr një pjesë të pronësisë së kompanisë. Qasar Younis bër kalimin nga pronar i një kompanie të re në një kompani financiare, por një tjetër imigrant nga Pakistani, Dilawar Syed, bëri të kundërtën.

“Freshdesk”, një kompani me bazë në San Francisko, përmes sistemit “Cloud” të ruajtjes së të dhënave, ndihmon bizneset në menaxhimin e shërbimeve për konsumatorët. Presidenti i kompanisë, Dilawar Syed thotë se Silicon Valley ofron mundësi të mëdha për imigrantët:

"Mendoj se Sillicon Valley është unike sepse është një ekosistem i cili u ofron mundësi njerëzve të mësojnë, të përparojnë, të ndërmarrin projekte me rrezikshmëri të lartë, të dështojnë dhe pastaj në shumë raste të bëhen të suksesshëm në një mënyrë spektakolare."

Pra, cili është sekreti i Silicon Valley?

"Rreziko dhe mos ki frikë nga dështimi." - thotë Dilawar Syed, President i kompanisë “Freshdesk”.

"Së pari bëhu inxhinier, së dyti themelo kompaninë tënde në vend që të punosh për dikë tjetër."- thotë Qasar Younis, Shef Ekzekutiv i kompanisë “Y Combinator”

Dy histori suksesi në Silicon Valley që shpresojnë të frymëzojnë brezin e ardhshëm të sipërmarrësve.

XS
SM
MD
LG