Një organizatë siriane që monitoron luftën tha sot se armëpushimi i arritur për tre krahina të pjesës jugore të vendit po zbatohet gjerësisht, me disa raportime për dhunë. Kjo vjen ndërkohë që qeveria dhe rebelët sirianë po përgatiteshin për të hapur raundin e fundit të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuar nga OKB-ja që synon t’i japë fund konfliktit gjashtë vjeçar.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi shkelje të armëpushimit në provincat Daraa dhe Quneitra. Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Jordania përfshin gjithashtu provincën e Sweidas.
Diplomatët amerikanë, rusë dhe jordanezë vendosën për armëpushimin në Hamburg të Gjemanisë ndërsa mbahej takimi i Grupit të Njëzetëshes.
As qeveria siriane dhe as opozita nuk u përfshinë në bisedimet për armëpushim, por një zyrtar sirian tha për agjensinë e lajmeve Reuters se qeveria e presidentit Bashar Al-Assad përshëndet çdo hap që mund t’i "hapë rrugë një zgjidhjeje paqësore".
Në një deklaratë të grupeve kundërshtare të Asadit vihej në dukje se ata ishin dyshues për ato që i quajtën "takime dhe marrëveshje të fshehta mes Rusisë, Jordanisë dhe Amerikës për jugun e Sirisë, të ndarë nga veriu".
Në Gjenevë, përfaqësuesit e opozitës dhe ata të qeverisë siriane po marrin pjesë sot në bisedimet e paqes nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara.
Më parë marrëveshjet e armëpushimit kanë dështuar shpejt dhe raundet e mëparshme të bisedimeve të paqes të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara kanë shënuar pak përparim drejt një armëpushimi të përhershëm.
Megjithatë zëvendësi i të dërguarit të OKB-së për Sirinë, Ramzi Ezzedine Ramzi, tha se armëpushimi i ri krijoi një "atmosferë të përshtatshme" për takimin e sotëm.
Ndërsa i dërguari i OKB-së Staffan de Mistura, u tha gazetarëve javën e kaluar se ai e shihte "lëvizjen" me "angazhim të vërtetë" dhe vuri theksin tek ndryshimi i dinamikës nga gjendja ekzistuese e viteve të fundit, kur përpjekjet për të thirrur bisedimet e paqes nuk shpinin askund.
Facebook Forum