Lidhje

Rusia nuk do të votojë për sanksione kundër Sirisë


Ambasadori sirian në Irak, Nawaf Fares jep dorëheqjen nga Partia Ba'ath dhe i bashkohet kryengritjes

Rusia thotë se nuk do të votojë për vendosjen e sanksioneve kundër Sirisë. Fuqitë perëndimore synojnë t’i përdorin sanksionet si presion për ta detyruar Sirinë të ndalë shtypjen e dhunshme të kryengritjes në vend.

Sot në takimin e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, Britania, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara thanë se duhet të vendosen sanksione brenda 10 ditësh, nëse trupat siriane nuk ndalin përdorimin e armëve të rënda kundër forcave të opozitës.

Rusia thotë se Këshilli i Sigurimit duhet të miratojë një rezolutë alternative që thjesht zgjat mandatin e misionit vëzhgues të OKB-së për 3 muaj të tjerë.

Ambasadori i Sirisë në Irak, Nawaf Fares deklaroi se është bashkuar me revolucionin. Në një deklaratë të transmetuar në rrjetin televiziv në gjuhën arabe Al-Jazeera, Fares njoftoi se ka dhënë dorëheqjen nga Partia Ba'ath.

Zoti Fares është zyrtari më i lartë sirian i cili dezerton nga qeveria e Presidentit Bashar al-Assad që nga fillimi i kryengritjes së përgjakshme 16 muaj më parë.

Largimi i tij vjen ndërkohë që i dërguari i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të miratojë planin e tij prej gjashtë-pikësh për një armëpushim të shpejtë dhe për pasoja ndaj qeverisë siriane.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice e mbështet planin e zotit Anan.

"Sipas mendimit tonë, është e domosdoshme, që anëtarët e këtij këshilli t’u kushtojnë vemendje rekomandimet që kemi dëgjuar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe përsëri sot nga i Dërguari i Posaçëm i përbashkët."

Ambasadori sirian në Kombet e Bashkuara, Bashar Ja a Fari, thotë se mbështetja ndërkombëtare për planin e zotit Anan është vendimtare për suksesin e tij.

"Suksesi i planit të zotit Kofi Anan varet shumë nga kapja, çarmatosja dhe financimi i grupeve të armatosura në Siri si dhe nevoja e pranisë së një angazhimi ndërkombëtar dhe e një vullneti të sinqertë politik për zbatimin plotësisht të planit të zotit Anan."

Ndërkohë, zoti Anan tha se në bisedimet e tij këtë javë me Presidentin Asad, udhëheqësi sirian ka propozuar një negociator i cili do ta përfaqësonte atë në bisedimet me opozitën. Zoti Anan nuk përmendi ndonjë emër.

Zoti Anan tha gjithashtu se Irani dhe Iraku i kishin deklaruar se do të përdorin ndikimin e tyre për ta shtyrë opozitën siriane në bisedime.

XS
SM
MD
LG