Trupat siriane, të mbështetura nga luftëtarë të organizatës libaneze Hezbollah dhe një fushatë intensive sulmesh ajrore, filluan një ofensivë masive sot për të rimarrë nga rebelët një pikë turistike malore, ndërkohë që ata u kundërpërgjigjën duke bombarduar kryeqytetin Damask.
Pamje filmike të transmetuara nga kanali televiziv i organizatës Hezbollah, “al-Manar”, tregojnë vatra të mëdha zjarri në qytetin Zabadani, në veriperëndim të kryeqytetit sirian dhe pranë kufirit me Libanin.
Sipas “al-Manar”, luftëtarët e Hezbollahut dhe forcat siriane po sulmojnë nga drejtime të ndryshme qytetin Zabadani, ku gjenden të izoluar rebelët.
Qyteti ndodhet pranë autostradës Beirut – Damask, e cila lidh të dy vendet. Rimarrja e tij do të ishte një fitore strategjike për qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad.
Qyteti Zabadani është mbajtur nga rebelët që nga fillimi i krizës në Siri, në mars 2011. Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë konfliktit janë vrarë më shumë se 220 mijë njerëz dhe të paktën një milionë të tjerë janë plagosur.