Aktivistët thonë se të paktën 3 veta u vranë nga forcat siriane, ndërsa dhjetra mijëra njerëz dolën nëpër rrugë në gjithë vendin për të protestuar kundër shtypjes së vazhdueshme nga ana e regjimit të Presidentit Bashar al-Assad.
Observatori sirian për të drejtat e njeriut tha se 3 viktimat u vranë gjatë një operacioni ushtarak sot në mëngjes në rajonin Jabal al-Zawiya afër kufirit me Turqinë.
Vrasjet dhe protestat e sotme pasuan komentet e Sekretares amerikane të shtetit Hillary Klinton, e cila tha se për qeverinë siriane koha po mbaron.
Sekretarja Klinton i bëri këto komente po sot në Vilnus të Lituanisë në një mbledhje të quajtur "Komuniteti i Demokracive''. Ajo tha se qeveria duhet të ndërmarrë reforma të vërteta, përndryshe do të përballet me një qëndresë në rritje.