Lidhje

Armët e Sirisë, bisedë Rama-Kerry


Shqipëria shtë një ndër vendet së cilës i është kërkuar të kontribuojë në operacionin e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë. Mbrëmë sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ka patur një bisedë të gjatë telefonike me Kryeministrin Edi Rama për këtë çështje. Sipas Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, nuk ka vend për alarm. Ai saktësoi se qeveria shqiptare vetëm është kontaktuar dhe nuk ka as vetëm vendim por as bisedime teknike apo konsultime

Angazhimi i mundshëm i Shqipërisë në operacionin për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë është vënë tani në qendër të vëmendjes. Ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati ripohoi sot se qeveria është kontaktuar nga partnerët amerikanë dhe europian për të parë mundësinë se si dhe ne cafrë mënyre ajo mund të kontribuojë në këtë operacion të cilin zoti Bushati e cilësoi Mjaft të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar. Ai saktësoi megjithatë se nuk ka vend për alarm: "Nuk bëhet fjalë që kemi një vendimmarrje, nuk kemi hyrë në cështje teknike, dhe nuk kemi hyrë në proces konsultimi, që mund të na kërkohet një konsultë paraprake apo mbështetje politike që në një vend normal si vendi ynë do të duhet të jpt nga strukturat parlamentare“.

Megjithatë duket se qeveria shqiptare është vënë mes dy zjarreve, mes detyrimeve të saj si vend anëtar i Natos dhe kundërshtimit në rritje të opinionit. Shtetet e Bashkuara janë në vijë të parë të angazhimit për gjetjen e një zgjidhjeje për armët siriane. Dje ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu tha se “ ju përket të gjitha kombeve përgjegjëse, sigurisht në këtë grup përfshij edhe SHBA dhe Shqipërinë, për të gjetur rrugë efektive dhe brenda kohës, në mënyrë bashkëpunuese, për të eleminuar kërcënimin, i cili krijohet nga programi i armëve kimike të Sirisë“.

Po mbrëmë sekretari amerikan i Shteti John Kerry pati një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama: “Kryeministri i Shqipërisë ka patur një bisedë të gjatë telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry, për këto cështje, pra për cështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, për elementët që kanë të bëjnë me kryerjen dhe se i mund të shërbejnë aleatë të ndryshëm të përfshirë në proces në mënyrë që të përmbushet objektivi“, shpjegoi ministri Bushati.

Ndërkohë edhe trysnia e brendshme është në rritje. Disa qindra ambientalistë, aktivistë të të drejtave të Njeriut por edhe qytetarë protestuan dje përoara qeverisë, dhe një tjetër manifestim është njoftuar edhe për nesër, ndërkohë që ka nisur edhe firmosja e një peticioni kundër mundësisë që armët siriane të shkatërrohen në Shqipërisë, jo vetëm për shkak të rrezikut që paraqesin por edhe për shkak të mungesës së kapaciteteve për ndërmarrjen e një operacioni të tillë. Edhe kryetari i parlamentit Ilir Meta, mbërëmë në një intervistë në Top Story, tha se nuk besonte se vendi i kishte mundësitë, dhe se Shqipëria si anëtar i Natos duhet të marrë përgjegjësitë që janë në gjendje të mbajnë supet e saj
XS
SM
MD
LG