Shtëpia e Bardhë tha se Siria duhet të intensifikojë përpjekjet për të transportuar armët e saj kimike në portin Latakia, pas një njoftimi se puna për tranportin dhe shkatërrimin e armëve po vonohej.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se "është përgjegjësia e regjimit të Assadit të transportojë këto armë kimike” në mënyrë të sigurtë.
Agjencia Reuters citoi burime të mërkurën që thonë se Siria ka dorëzuar më pak se pesë përqind të armëve të saj kimike dhe nuk do të përmbushë afatin e javës së ardhshme për të dërguar të gjithë agjentët toksik në bord për t’u shkatërruar.
Burimet i thanë gjithashtu agjencisë Reuters se operacioni me mbështetje ndërkombëtare për të hequr armët është gjashtë deri në tetë javë me vonesë.
Ndërkohë, sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel theksoi shqetësimin e Shteteve të Bashkuara rreth nxjerrjes së armëve siriane jashtë vendit. Ai tha se nuk është në dijeni në se vonesa ka ardhur për shkak të pamundësisë apo një taktike nga ana e qeverisë së presidentit Bashar al-Assad.