Lidhje

Bisedimet për tranzicionin politik në Siri


I dërguari i OKB-së Lakhdar Brahimi thotë se negociatat e paqes për Sirinë do të vazhdojnë në Gjenevë nesër, por çështja e vështirë e krijimit të një qeverie tranzicioni, do të lihet mënjanë, në mënyrë që bisedimet të përqendrohen tek një marrëveshje e mundshme.

Zoti Brahimi tha se palët siriane po vazhdonin të diskutonin për mënyrat sesi gratë dhe fëmijët mund të largohen nga qyteti i vjetër i Homsit, por se nuk ishte marrë ndonjë vendim për të lejuar një autokolonë ndihmash në qytetin e rrethuar.

Dy palët priteshin të diskutonin çështje delikate politike si e ardhmja e Presidentit Bashar Al-Assad.

Por gjatë takimit, pala e qeverisë paraqiti një dokument që përqendrohej tek nevoja për të luftuar terrorizmin dhe për të ndalur financimin dhe furnizimet me armë për kryengritësit që po përpiqen të rrëzojnë nga pushteti zotin Assad.

Përfaqësuesit e opozitës e hodhën poshtë deklaratën e parimeve të qeverisë siriane, që ata thanë se dilte nga korniza e bisedimeve të Gjenevës dhe nuk përfshinte transferimin e pushtetit në Damask.
XS
SM
MD
LG