Lidhje

Përdorimi i armëve kimike në Siri


Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë thotë Shtetet e Bashkuara kanë një sërë alternativash nëse vendosin të veprojnë kundër përdorimit të armëve kimike për të cilat akuzohet Siria. Zyrtari i bëri komentet sot, ndërsa presidenti Barack Obama takohej me këshilltarët e lartë të sigurisë kombëtare për të diskutuar për përdorimin e armëve kimike nga qeveria siriane ndaj civilëve në një rrethinë të Damaskut. Më parë, zoti Obama ka shprehur hezitim lidhur me çdo lloj pranie në Siri. Por zhvillimet e fundit i kanë vënë në lëvizje zyrtarët.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel tha se Shtetet e Bashkuara po lëvizin forcat e marinës në përgatitje të një vendimi të mundshëm të Presidentit Barack Obama për të dhënë urdhër për ndonjë ndërhyrje ushtarake kundër Sirisë pas njoftimeve me sa duket të përdorimit të armëve kimike.

Sipas gazetës The New York Times, presidenti Obama po shqyrton alternativat e mundshme të një sulmi të tillë, ndërkohë që këshilltarët e tij të sigurimit kombëtar po studiojnë luftën nga ajri të NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë si një alternativë e mundshme për ndërhyrje pa mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Sekretari Hagel u tha gazetarëve gjatë udhëtimit për në Malaizi se zoti Obama i ka kërkuar Departamentit të Mbrojtjes që të shqyrtojë një sërë opcionesh nëse ai vendos të ndërmarrë ndonjë sulm kundër qeverisë së Damaskut. Këto komente zoti Hagel i bëri pasi një zyrtar i mbrojtjes tha se marina amerikane po e shtrin praninë e saj në Mesdhe me një luftanije të katërt e pajisur me raketa kruzë.

Shefja e Kombeve të Bashkuara për çarmatimin, Angela Kane mbërriti sot në Damask për t’i bërë thirrje Presidentit sirian, Bashar al-Assad që të lejojë ekspertët e OKB-së të hetojnë njoftimet për një sulm me armë kimike të mërkurën e kaluar. Zonja Kane nuk foli me gazetarët në Damask.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius tha se informacionet, që ai kishte lenë të kuptojnë se regjimi i Bashar al-Assadit ishte burimi i sulmit me armë kimike afër Damaskut.

“I gjithë informacione që ne kemi tregon se në Siri u krye një masakër me armë kimike, afër damaskut, dhe regjimi i Bashar al-Assadit ishte burim i saj. Informacioni, që ne kemi tregon se kjo masakër kimike ka një intensitet të caktuar. Sekretari i Përgjithsh[m i OKB-së, Ban Ki-moon foli rreth këtij krimi kundër njerëzimit dhe me siguri që një akt i tillë nuk mund të lejohet pa një përgjigje të ashpër,” tha ministri i jashtëm francez.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Rusia u kanë bërë thirrje regjimit të Assadit dhe kryengritësve, që luftojnë për përmbysjen e tij nga pushteti, që të bashkëpunojnë me ekspertët e OKB-së tashmë në Siri.
XS
SM
MD
LG