Lidhje

A ishte në dijeni Rusia për sulmin me armë kimike në Siri?


Sipas një zyrtari të lartë amerikan, Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin paraprak se Rusia ishte në dijeni qysh më parë për sulmin me armë kimike të Sirisë javën e kaluar, por nuk kanë prova se Moska ishte e përfshirë në sulm, njofton agjencia e lajmeve Associated Press.

Zyrtari, i cili komentoi në kushte anonimiteti, tha se një dron i komanduar nga rusët ishte duke fluturuar mbi një spital në kohën kur viktimat e sulmit po dërgoheshin me nxitim në spital. Disa orë pas largimit të dronit, një avion i prodhimit rus bombardoi spitalin, gjë që zyrtarët amerikanë besojnë se ishte një përpjekje për të mbuluar përdorimin e armëve kimike.

Zyrtari amerikan tha se prania e dronit vëzhgues mbi spital nuk mund të ishte rastësi. Sipas tij, Rusia duhet të ishte në dijeni se sulmi me armë kimike po afronte dhe se viktimat ishin duke kërkuar trajtim mjeksor.

Zyrtari nuk dha hollësi mbi informacionin ushtarak të zbulimit në bazë të të cilit Pentagoni arriti në këtë përfundim paraprak.

Edhe pse Rusia ka mbështetur pa lëkundje qeverinë e presidentit sirian Bashar Asad, me të cilën ka koordinuar sulmet ushtarake, Uashingtoni nuk e kishte akuzuar më parë Moskën për bashkëfajësi në ndonjë sulm që përfshinte përdorimin e gazit kimik kundër civilëve të pafajshëm, përfshirë fëmijët.

Deri dje, zyrtarët amerikanë kishin thënë se nuk ishin të sigurtë nëse droni operohej nga Rusia apo Siria. Por ata thonë tani se janë të bindur që droni kontrollohej nga rusët. Ata thanë se ende nuk është e qartë se kush e pilotonte avionin që bombardoi spitalin, për shkak se sirianët pilotojnë avionë të prodhimit rus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG