Lidhje

Sistemi i mbrojtjes nga raketat në Evropë, funksional


Shtetet e Bashkuara e shpallën sot zyrtarisht si funksional sistemin e tyre evropian të mbrojtjes nga raketat, pothuajse një dekadë pasi Uashingtoni propozoi vendosjen e një baze në Evropë për mbrojtjen kundër raketave balistike të Iranit. Ky sistem është vendosur në bazën ajrore Deveselu në Rumani:

Shtetet e Bashkuara thanë se duke filluar që sot, ka hyrë në funskionim sistemi 800 milionë dollarësh për mbrojtjen nga raketat. Ky sistem synon mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Europës nga të ashtuquajturat “shtete të papërgjegjshme”. Por Kremlini thotë se ky progam drejtohet kundër Rusisë.

Nën tingujt e bandës ushtarake, zyrtarë të lartë amerikanë dhe të NATO-s përuruan fillimin e operacioneve në qendrën e mbrojtjes nga raketat balistike në bazën ajrore Deveselu të Rumanisë. Nga kjo bazë mund të rrëzohen raketat e hedhura nga vende si Irani, për të cilat Uashingtoni thotë se mund të arrijnë deri në qytetet kryesore europiane.

"Për sa kohë që Irani të vazhdojë të ndërtojë dhe dislokojë raketa balistike, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me aleatët e tyre për të mbrojtur vendet e NATO-s”- tha Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Work.

Megjithë planet e Uashingtonit për të vazhduar modernizimin e sistemit të mbrojtes nga raketat, nënsekretari Work tha se ky sistem nuk drejtohet kundër Rusisë.

"Nuk ka fare plane për ta bërë këtë”- tha ai në konferencën e shtypit.

Rusia është zemëruar nga kjo shfaqje e forcës nga rivali i saj i periudhës së Luftës së Ftohtë në vendet dikur komuniste të Europës Lindore.

Zyra e presidentit rus Valdimir Putin tha se Moska ka dyshime për qëllimin që ka deklaruar NATO për t’i mbrojtur vendet anëtare nga raketat iraniane, pas marrëveshjes historike bërthamore me Teheranin dhe me fuqitë botërore vitin e kaluar. “Situata me Iranin ka ndryshuar tani së tepërmi” – tha zëdhënësi i zotit Putin, Dmitry Peskov.

Kur të përfundojë, sistemi i mbrojtjes nga raketat ai do të shtrihet nga Groenlanda, deri në ishujt Azore. Të premten, Shtetet e Bashkuara do të fillojnë punime në një tjetër qendër, e cila do të jetë e fundit, në Poloni. Ajo është në plan të përfundojë nga fundi i vitit 2018 dhe kjo do të shënojë përfundimin e linjës së mbrojtjes të propozuar thuajse një dekadë më parë.

Sistemi i plotë i mbrojtjes nga raketat përfshin dislokimin e anijeve dhe radarëve në mbarë Europën. Ai do t’i jepet në dorëzim NATO-s në korrik, nën komandën dhe kontrollin e drejtuar nga një bazë ajrore amerikane në Gjermani

XS
SM
MD
LG