Lidhje

Situata në veriun e Mitrovicës me tensione por pa incidente


Gjendja në veriun e Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar, ndonëse autoritetet thonë se situata është më e qetë pas incidentit të fundit ku humbi jetën një shqiptar dhe u plagosën dy nga fëmijët e tij. Zyrtarë të policisë thanë se po patrullojnë në zonat e banuara me popullatë të përzier në pjesën veriore të Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe.

Policia dështoi dje në përpjekjet për të vendosur pika të përhershme kontrolli pasi që grupe serbësh penguan vendosjen e tyre duke shkatërruar një nga shtëpizat e policisë që u vendos për pak minuta në zonën ku kishte ndodhur sulmi në të cilin humbi jetën 38 vjeçari Selver Haradinaj. Përfaqësues të serbëve thanë se janë kundër çdo përpjekjeje për vendosjen e pranisë së pjesëtarëve të policisë shqiptare pa praninë e policëve serbë që veprojnë në veriun e Mitrovicës.

Policia tha se po vazhdojnë hetimet për ndriçimin e këtij sulmi i cili nga autoritetet u cilësua si akt terrorist. Qytetarët shqiptarë që jetojnë në veriun e qytetit kanë bërë thirrje për shtim të masave të sigurisë.

Sulmi u dënua në shkallë të gjere nga institucionet vendase e ndërkombëtare dhe nga partitë politike. Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit, ndërsa ka paralajmëruar se do të kërkojë nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë skena e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës dhe në atë zonë edhe më tej nuk njihen e nuk pranohen institucionet e Prishtinës. Qe nga 25 korriku i vitit të kaluar, rrugët kryesore në zonë janë të bllokuara në shenjë kundërshtimit të përpjekjeve të Prishtinës për shtrirjen e autoritetit të saj edhe në veri.

Përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi kundërshtojnë çdo mundësi integrimi në Kosovë, ndërsa një pjesë e zyrtarëve të Serbisë angazhohen për ndarjen e Kosovës, një mundësi e cila është hedhur poshtë nga autoritetet e Prishtinës, por edhe autoritetet ndërkombëtare. Por, diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje Prishtinës që të hartojë, siç është thënë një plan për qasje gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës, ndërsa gjithnjë e më shpesh po përmendet mundësia që të fillojnë bisedime të veçanta për këtë çështje, por pas zgjedhjeve presidenciale, parlamentare e lokale të Serbisë që do të mbahen me 6 maj.

Paralajmërimi i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve edhe në Kosovë kishte nxitur reagime të ashpra të institucioneve të Prishtinës që e cilësojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe si cenim të sovranitetit të Kosovës. Ato janë kundërshtuar edhe nga institucionet ndërkombëtare, ndërsa po kërkohen rrugë për të mundësuar votimin e qytetarëve serb për zgjedhjet e përgjithshme meqë parimi i dyshtetësisë atyre u garantohet me Kushtetutën e Kosovës. Ndonëse ende nuk ka një vendim zyrtarë qeveritarët serbë kanë paralajmëruar se mund të heqin dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë për shkak të siç thuhet pamundësisë së realizimit të një synimi të tillë.

XS
SM
MD
LG