Një skiatore e garave speciale Olimpike është duke mësuar të ecë me anën e një skeleti robotik i cili mundëson qëndrimin në këmbë dhe ecjen. Skiatorja britanike ka ndihmuar prodhuesit të përsosin një pajisje, e cila po tregëtohet tani si skeleti i parë robotik që lejon pavarësinë e plotë të përdoruesit.
Pothuajse në ajër, përmes flokëve të borës artificiale Jane Sowerby po arrin të përjetojë gëzimin e shpejtësisë dhe lirinë e lëvizjes.
Jane Sowerby tregoi aftësitë e saj si skiatore së bashku me anëtaret e tjera të ekipit të Britanisë së Madhe në lojërat dimërore në Kanada në vitin 2010.
Duke parë lëvizjet e saj në ajër është e vështirë të besosh se ajo ka qenë e paralizuar nga mesi e poshtë për nëntë vjet.
Jane iu përkushtua sportit të skive pasi një aksident e bëri atë të paaftë të ndiqte sportin e saj të preferuar.
Ajo u rrëzua nga një lartësi katër metra dhe ra në kurriz mbi një sipërfaqe betoni.
Mjekët i thanë se nuk do të ishte në gjendje të përdorte përsëri këmbët. Por e vendosur të jetë përsëri e pavarur, ajo forcoi pjesën e sipërme të trupit dhe krahët që deri tani kanë bërë gjithë punën.
Me pajisjen e re, Jane Sowerby duhet të mësojë të ripërdorë trupin e saj dhe jo vetëm krahët.
Ajo kaloi disa ditë stërvitje me robotin Rewalk, shpikje e një inxhinieri të paralizuar, i vendosur për të gjetur një zgjidhje të re përtej karrocës.
Pas 10 vjet punë laboratorike, prodhuesi izraelit Argo pretendon të jetë tani i vetmi që lejon paraplegjikët të qëndrojnë, ecin dhe të ngjiten në shkallë. Megjithatë pajisja nuk është e përshtatshme për ata që nuk janë në gjendje të lëvizim pjesën e sipërme të trupit.
Jane Sowerby ka patur disa seanca stërvitore dhe është entuziaste rreth mundësive.
"Është e mahnitshme për mua pasi nuk kam qëndruar kurrë në këmbë në këtë shtëpi. Kam jetuar këtu për pesë vjet dhe vetëm tani e shoh çdo gjë nga një perspektivë tjetër, mjaft interesante. Të jesh jashtë në kopsht është diçka sfiduese, kështu që nuk është një hap i vogël për mua. Janë të gjitha lëvizje që e di se mund të arrijë t’i bëjë një ditë pa sforco. "
Jane nuk e pranon se fakti që është atlete e vë ata në avantazh për përdorimin e pajisjes.
Sa herë që lëviz përpara, një sensor në sup regjistron lëvizjen.
Një kompjuter në çantën e shpinës e përkthen këtë në të dhëna që i tregojnë motorëve elektrikë në ije dhe në gjunjë të lëvizin përpara.
David Hawkins është drejtor menaxhimi në kompaninë Cyclone Technologies, që është shpërndarësi i pajisjes Rewalk në Britani.
"Ecja me këtë pajisje është pothuajse e përkryer, si të mos kishe asgjë. Disa nga pajisjet e tjera në treg nuk kanë arritur perfeksionin në këtë pikë. Faktor tjetër kryesor për ne është se kjo pajisje mund të përdoret në mënyrë të pavarur. Nuk ndodh brenda ditës por në një periudhë stërvitore mund ta përdorësh fare mirë."
Jane Sowerby është tani 37 vjeç. Lëvizja me pajisjen Rewalk kërkon përqëndrim - dhe mundësia e saj për të qëndruar përsëri në këmbë ka prekur edhe familjen.
"Ishte shumë emocionuese. Për nënën time më shumë se për mua. Kur më pa në këmbë përsëri u mrekullua. U mësua të më shihte ulur në karrocë. Pra është mirë që më sheh tani të gjatë dhe krah për krah."
Është hera e parë që Jane Sowerby po përdor pajisjen Rewalk në shtëpi dhe i sheh gjërat për herë të parë ndryshe.
"Ju e dini që kam shumë përfitime nga qëndrimi në këmbë – i shoh gjërat ndryshe, mund të shëtis me familjen time, gjëra që nuk i bëja dot më parë. Natyrisht kur jam duke bërë ski, nuk e përdor pajisjen megjithëse dikush nga kompania Rewalk më sugjeroi një gjë të tillë, por nuk jam e sigurtë se ç’mund të ndodh atëherë."
Duket e rëndë, por çanta e shpinës është e përballueshme dhe me bateri që zgjasin për tetë orë.
Ka një model tjetër për pajisjen Rewalk që përdoret vetëm në qendrat e rehabilitimit.
Jane ka në plan të kthehet në pistë, por këtë herë me shpresën e një medalje në Lojrat Speciale Olimpike.