Lidhje

Shkup: deputetët e VMRO-së të përjashtuar nga partia, arrijnë marrëveshje për amendamentet kushtetuese


Një gjykatë në Shkup, me kërkesë të Prokurorisë së posaçme ka urdhëruar ngrirjen e pasurisë së partisë opozitare VMRO-DPMNE. Prokuroria ka njoftuar se bëhet fjalë për 69 objekte, ndër to edhe selia e partisë në Shkup. Me këtë, masë, ndalohet shitja, ose dhënia me qira e këtyre objekteve. Prokuroria ka vepruar kështu, për shkak të një rasti që po procedohet në gjykatë dhe për shkak të mundësisë së tjetërsimit të pasurisë nga partia, para përfundimit të gjyqit.

VMRO-DPMNE-ja vlerësohet si partia më e pasur në Evropë dhe pronat e saj arrijnë vlerën e 60 milionë eurove, sipas hulumtimeve të organizatës SCOOP-Macedonia.

Partia e ka quajtur këtë vendim të gjykatës si absurd, ndërsa ka akuzuar gjykatën si “dorë e shtrirë e kryeministrit Zoran Zaev”.

Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-së, Igor Janushev u tha të enjten gazetërave se “pushteti përmes instalimeve të tij në gjyqësor po niset në betejë kundër secilit që nuk është i gatshëm të bëjë pazar me Maqedoninë”.

VMRO-ja thotë se pushteti po synon të pengojë funksionimin normal të saj. Por, Lidhja Social Demokrate, partia e kryeministrit Zaev i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Prokuroria e Posaçme është një institucion i pavarur.

Prokuroria e Posaçme ka dyshime për dhjetra pjesëtarë në pozita të larta të partisë më të madhe opozitare, për shkak se gjatë ndërtimit të selisë në qendër të Shkupit kishin bërë marrëveshje me një kompani që i bënte favore VMRO-DPMNE-së.

“Pallati i bardhë”, siç njihet selia e opozitës në qendër të Shkupit, vlerësohet nga 7 deri në 15 milionë euro. VMRO-ja ka paralajmëruar se do të ankohet në instanca më të larta, ndërkohë që ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë e konfiskimit të pasurisë së kësaj partie.

VMRO-DPME-ja po kalon përmes një situate të vështirë këto ditë, ndërsa ish-funksionarë të lartë dhe deputetë të saj po ia kthejnë shpinën drejtuesit Hristijan Mickovski, që ka larguar nga partia disa eksponentë të njohur, duke lënë përshtypjen në opinionin pubik për një përçarje serioze brenda partisë.

Arrihet marrëveshje për amendamentet kushtetuese

Tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së të përjashtuar nga partia, kanë arritur të enjten në mbrëmje marrëveshje me Kryeministrin Zoran Zaev, në lidhje me projekt - amendamentet për ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë.

Deputeti Kërsto Mukovski i grupit të tetëshes u tha gazetarëve se kanë marrë garanci nga kryeministri Zaev se Qeveria, se do t’i pranojë propozimet e tyre në lidhje me amendamentet. Në takim është biseduar edhe për formimin e një komiteti që do të veprojë për pajtimin, ose faljen e atyre personave të cilët sulmuan parlamentin më 27 prill të vitit të kaluar. Por, autoritetet në lidhje me këtë janë të prera: nuk do të ketë amnisti, thonë zyrtarët qeveritarë në Shkup, duke lënë kështu hapsirë për spekulime në lidhje me një drejtësi selektive, se përfaqësues të VMRO-së të akuzuar për ngjarjen e dhunshme mund të falen, por jo edhe persona të tjerë.

Tetë ligjvënësit opozitarë, të cilët votuan fillimisht vendimin për hapjen e kushtetutës, për çka edhe u përjashtuan nga partia, kishin bërë edhe kushte të tjera veç kërkesës për pajtim, ose falje. Një ndër kushtet ishte që Parlamenti i Republikës së Maqedonisë të mund të anulonte ndryshimimet kushtetuese që do t’i miratonte për ndryshimin e emrit të vendit, nëse parlamenti grek nuk do ta ratifikonte Marrëveshjen e Prespës.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Intregrim kërkon që në preambulën e Kushtetutës të përfshihet edhe Marrëveshja e Ohrit, e cila ngriti statusin dhe të drejtat e shqiptarëve pas konfliktit të vitit 2001. Ndërsa, dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kërkojnë që shqiptarët të paraqiten të barabartë me maqedonasit dhe vendi të përcaktohet si një shoqëri qytetare. Zoti Zaev ka komentuar para pak ditësh se “kështu do të hapej Kutia e Pandorës”. Megjithatë, partitë shqiptare nuk i kushtëzojnë kërkesat e tyre me bllokimin e ndryshimeve kushtetuese që pritet të ndodhin brenda disa javësh.

Tashmë janë siguruar dy të tretat e nevojshme të ligjvënësve për votimin e këtyre ndryshimeve dhe nuk është për t’u habitur nëse edhe deputetë të tjerë të VMRO-së opozitare të votojnë pro.

Republika ish-jugosllave e Maqedonisë do të marrë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas Marrëveshjes së Prespës me Greqinë të arritur në qershor të këtij viti dhe kjo do t’ia hapte rrugën Shkupit drejt integrimeve euro-atlantike.

XS
SM
MD
LG