Lidhje

Duhani - shkaku i parë i vdekjeve në botë


Duhani - shkaku i parë i vdekjeve në botë
Duhani - shkaku i parë i vdekjeve në botë

Përdorimi i duhanit është tani shkaku i parë i vdekjeve në botë. Drejtori i Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se jo të gjitha vendet e botës po marrin masat e nevojshme për ndalimin e duhanit. Dr. Tomas Friden, po ashtu përmendi kërcënime të tjera për shëndetin global kohët e fundit në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington.

Më tepër se 5 milionë njerëz vdesin çdo vit ngaqë pijnë duhan, shumë prej tyre në vendet në zhvillim. Doktor Thomas Frieden përmend vende si Shtetet e Bashkuara dhe Uruguaji, programet e të cilëve kundër duhanit kanë patur sukses. Ai thotë se shembullin e tyre duhet ta ndjekin edhe vende të tjera.

"Duhani është tani shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Ai shkakton më tepër vdekje se sa SIDA, tuberkulozi dhe malaria të marra së bashku. Dhe ndryshe nga këto sëmundje, të cilat janë duke u pakësuar, duhani po bëhet tani më tepër shkak i vdekjeve,"- thotë doktori.

Por pirja e duhanit është jo vetëm një nga problemet kryesore të botës, thotë Dr. Frieden; ai shton se vdekjet nga aksidentet në trafik po bëhen si epidemi. Ai thotë se çdo vit në trafik humbin jetën më tepër se 1 milionë vetë, mes tyre edhe njerëzit që ecin më këmbë dhe me biçikletë:

“Ajo që do të ndodhë në 20-25 vjetët e ardhshëm, në se nuk marrim masa urgjente, është se vdekjet në trafik do të shtohen nga 2 për qind të të gjitha vdekjeve që përbëjnë tani, në 3 për qind e gjysëm. Ato do të bëhen shkaku i 5-të i vdekjeve në mbarë botën”.

Dr. Friden thotë se infeksionet në rrugët e frymëmarrjes, si tuberkulozi, vazhdojnë të jenë një tjetër problem kyç. Ai thotë se një miliardë njerëz nuk kanë ujë të pijshëm dhe dy miliardë e gjysëm jetojnë në kushte jo të mira sanitare. Ai thotë se në se njerëzit do t’i kishin këto kushte të nevojshme, do të parandaloheshin vdekjet e miliona njerëzve, mes tyre fëmijë që vdesin nga diharreja:

Ende ka raste të kolerës në shumë vende të botës, gjë që pasqyron dështimin tonë për të siguruar ujë të pijshëm dhe kushtet e nevojshme sanitare”.

Drejtori i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se SIDA vazhdon të jetë shkaktari kryesor i vdekjeve në Afrikë. Ai thotë se pjesë e problemit është se gjysma e njerëzve të infektuar me virusin HIV, që shkakton SIDË-n, nuk e dinë fare se janë të infektuar:

Ne e dimë se njerëzit që e dinë se janë të infektuar nga sëmundja është më pak e mundur të ta përhapin infeksionin tek njerëzit e tjerë dhe e vetmja mënyrë për të marrë ndihmën e nevojshme është të dish që je i infektuar,”- thotë zoti Friden.

Dr. Friden thotë se obeziteti po ashtu është një problem përherë e më shqetësues për shëndetin. Ai thekson se tani në botë ka më tepër persona mbi peshë, se sa nën peshë. ...Dhe ai shton se numri i përvitshëm i vdekjeve nga kanceri mund të përgjysmohet, në se njerëzit e lenë duhanin, kanë një dietë më të shëndetshme dhe aktivitet më të madh fizik.

XS
SM
MD
LG