Lidhje

Konkurrimet në Soçi të kërcënuara nga temperaturat e larta


Ndër problemet që kanë dalë deri tani në Soçi, kryesori është i lidhur me temperaturat tepër të larta për konkurrime dimërore. Kur ngjitesh në gjysmë të shpatit malor ku janë ndërtuar pistat olimpike, vëren rrotull një pejsazh që i përngjan më të shumti stinës pranverore. Në drekë bora fillon të shkrijë, dhe konkurrentët heqin shtresat e veshjeve dimërore, disa prej tyre duke konkurruar me bluza të lehta.

Por mjeku sportiv Sergei Litkov, banor i kësaj zone, thotë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Ai thotë se çdo gjë do të shkojë në rregull, bora në majë të malit ka trashësi rreth 2 metra, shton ai.

Pohimet e tij nuk janë ngushëllim i mjaftueshëm për skiatoren Alessia Dipol.

"Sot do të bëja stërvitje, por bora ishte tepër, tepër e butë. Nuk më pëlqen kur bora është në këtë gjendje. Skijimi ngadalësohet. Eshtë sikur të skijosh në shkumë shampoje”.

Skiatorët ankohen se rezultatet po diktohen nga bora e butë. Për rrjedhojë organizatorët kanë vendosur t’i zhvillojnë garat e skive në mëngjes.

Në majë të malit Rosa Khutor gjatë natës temperaturat bien nën zero. Por në drekë, në pjesën qendrore të pistës, temperaturat arrijnë deri në 13 gradë celcius.

Yvonne Batal është vullnetare nga shteti amerikan Jutah, një ndër destinacionet kryesore amerikane për sportet dimërore.

"Në majë gjendja është mjaft e mirë, kushtet janë fantastike. Por në rrëzë të pistës bora është si pure patatesh, tamam si skijim në pranverë”.

Një armatë vullnetarësh po punon për të kapërcyer problemet e këtij fronti të ngrohtë që pritet të zgjasë deri të mërkurën.

Vullnetari amerikan John Lychak ka punuar në pistën e skive:

“Turni ynë fillonte nga mesnata deri në 8 të mëngjesit. Ishim rreth 30-40 vetë me pompa me presion që shërbenin për të mbuluar pistat me borë. Por bora ngrinte gjatë natës dhe të nesërmen krijohej kjo situatë që shikoni tani”.

Me ndryshimet klimatike, teknologjia bëhet një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm në Lojërat Olimpike. Një studim i ri tregon se temperaturat mesatare në shkurt për Soçin dhe qytete të tjera organizatore të Lojërave Olimpike dimërore janë rritur shtatë gradë celcius gjatë shekullit të kaluar.

Në malet rrotull Soçit, shqetësimi kryesor është si do të jetë gjendja e borës për aktivitetin e fundit olimpik të këtyre Lojërave, garat e 23 shkurtit me ski në distance të gjata.

"Në majë të malit temperatura është pak më e ulët se këtu, por ka ende shumë aktivitete në pistat në rrëzë të malit. Aty është problemi më i madh”.

Për momentin në Soçi shpresa kryesore është për një ftohje të temperaturave dhe ndezjen e konkurrencës olimpike.
XS
SM
MD
LG