Një anëtar i forcave speciale amerikane u vra gjatë një operacioni kundër militantëve të Al-Shababit në Somali, ushtari i parë amerikan që vritet në vendin e shkatërruar nga lufta që nga beteja vdekjeprurëse e vitit 1993 që frymëzoi realizimin e filmit Black Hawk Down.
Një zyrtar ushtarak amerikan i tha Zërit të Amerikës se ushtari i njesisë speciale të Marinës u vra nga të shtënat me armë të vogla pranë qytetit Barire, në Somali, rreth 65 kilometra në perëndim të kryeqytetit Mogadishu. Të paktën dy ushtarë të tjerë dhe një përkthyes u plagosën gjatë sulmit, tha zyrtari.
Komanda amerikane e Afrikës, e cila mbikëqyr operacionet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në kontinent, tha se forcat amerikane u sulmuan gjatë një misioni këshillues dhe ndihmues së bashku me anëtarë e Ushtrisë Kombëtare të Somalisë.
Një zyrtar i lartë në rajonin e Shabelles së Ulët në Somali tha se ushtarët bastisën një ndërtesë të Radio Andalus, radio-stacioni zyrtar i grupit terrorist Al-Shabab.
Ai i tha Shërbimit somalez të Zërit të Amerikës se tetë militantë të Al-Shababit u vranë në këtë operacion. Zyrtari tha se ai besonte se ushtarët konfiskuan pajisjet e radios.
Al-Shababi tha të premten se luftëtarët e tyre vranë një numër "ushtarësh të armikut" gjatë këtij operacioni.
Zëdhënësi ushtarak i grupit, Abdulaziz Abu Musab, i tha Radio Andalus të premten se Al-Shabab kishte parandaluar një sulm nga trupat amerikane.
Abu Musab tha se luftëtarët e dinin paraprakisht se sulmi do të ndodhte dhe ishin të përgatitur për të. "Misioni i tyre nuk realizoi objektivat," tha ai.
Facebook Forum