Lidhje

Koreja e Jugut vlerëson Kinën për rolin në bisedimet për çarmatim


Këshilltari i Koresë së Jugut për Sigurinë Kombëtare vlerësoi sot Kinën për rolin që ka luajtur për të nxitur Phenianin drejt bisedimeve të reja për çarmatim bërthamor.

Takimi i Chung Eui-yong-ut me këshilltarin më të lartë për Politikën e Jashtme të Kinës Yang Jiechi pason njoftimin e javës së kaluar për një takim mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un.

"Presidenti Moon Jae-in dhe qeveria e Koresë së Jugut besojnë se përparimet drejt arritjes së qëllimit për paqe dhe çarmatim bërthamor të Gadishullit Korean janë arritur me mbështetjen aktive dhe kontributin e presidentit Xi Jinping dhe qeverisë kineze" tha Chung.

Zoti Yang përsëriti qëndrimin e Kinës për një gadishull pa armë bërthamore dhe zgjidhje të problemeve nëpërmjet dialogut.

Të dielën zyrtarët amerikanë deklaruan se nuk do të bëjnë lëshime ndaj Koresë së Veriut përpara takimit Trump-Kim dhe se do të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj Phenianit.

"Nuk duhet gabuar, ndërsa këto negociatat janë në proces, nuk do të bëhet asnjë lëshim", tha drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit Mike Pompeo për "Fox News Sunday".

Zoti Pompeo tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut duhet të: "vazhdojë të na lejojë të kryejmë stërvitjet e nevojshme ushtarake me Korenë e Jugut dhe të sigurojë që në tryezën e bisedimeve të jetë diskutimi lidhur me çarmatimin bërthamor të ushtrisë së tij”.

Në të kaluarën, zoti Trump është tallur me mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me Korenë e Veriut. Në tetor të vitit të kaluar ai i tha sekretarit të Shtetit Rex Tillerson se po "humbiste kohë" duke konsideruar mundësinë e negociatave.

Por të shtunën zoti Trump vuri në dukje rëndësinë historike që do të kishte pranimi nga ana e tij të ofertës së udhëheqësit të Phenianit për t'u takuar.

I pyetur se çfarë mund të arrijë zoti Trump duke zbutur qëndrimet ndaj udhëheqësit të Phenianit, senatori republikan Ron Johnson nga Wisconsi i tha CNN të dielën "jo shumë".

Një kundërshtare politike e zotit Trump, senatorja demokrate Elizabeth Warren e Masaçusetsit, tha për televizionin NBC se "dua të shoh presidentin tonë të shënojë sukses, sepse nëse ai ia del, Amerika shënon sukses dhe bota është më e sigurt. Por druhem se Pheniani do ta përdori për qëllim e veta".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG