Lidhje

Presidenti i ri koreano-jugor bën betimin


Presidenti i sapozgjedhur i Koresë së Jugut Moon Jae-in tha sot se është i gatshëm të përmirësojë marrëdhëniet me rivalin e vendit, Korenë e Veriut. Ai tha gjithashtu se do të negociojë me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara mbi vendosjen në Korenë e Jugut, të sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat, për të cilën palët kanë mosmarrëveshje.

Ceremonia e betimit të presidentit të zgjedhur Moon, u zhvillua në Seul, vetëm një ditë pas fitores së tij të thellë në zgjedhje.

Ai mundi dy rivalët e tij, konservatorin Hong Joon-pyo dhe atë të qendrës Ahn Cheol-soo.

Partia Demokratike e presidentit të zgjedhur Moon ka 119 vende nga 299 vende që ka gjithsej parlamenti, ndërsa dy partitë kryesore konservatore kanë 126 vende. Pavarësisht se nuk gëzon shumicën në legjislativ, Moon do të të jetë në gjendje të zbatojë politikat e tij me mbështetjen e partive të tjera me prirje liberale.

Pjesëmarrja në votime ishte më e larta në historinë e vendit, 77 për qind. Kjo vjen pas një periudhe të trazuar politike rezultat i përfshirjes se ish presidentes Park në një skemë mashtrimi e korrupsioni.

Për javësh të tëra ne vend u zhvilluan protesta masive publike që ushtronin presion ndaj parlamentit për të detyruar largimin e saj nga detyra si dhe kërkonin zgjedhje të reja.

Në 2012 Moon e humbi garën presidenciale ndaj konservatores Park, për shkak se ajo shihej si më e fortë lidhur me çështjen e sigurisë kombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG