Lidhje

Spanja në përpjekje për shkurtime buxhetore


Nën vëzhgimin e tregjeve botërore, Kryeministri i Spanjës Hose Luis Rodriguez Zapatero njoftoi sot vendime të vështira buxhetore për shkurtimin e deficitit buxhetor të vendit në vitin 2011. Qeveria spanjolle po përpiqet të shmangë krahasimet që i bëhen me Greqinë, borxhi i madh i së cilës ka ngjallur shqetësime të thella në eurozonë dhe më tej.

Kryeministri tha në parlament se qeveria do të shkurtojë pagat e sektorit publik mesatarisht në masën 5 përqind duke filluar nga qershori i këtij viti dhe do t’i ngrijë ato në vitin 2011.

“Anëtarët e qeverisë dhe zyrtarët e tjerë të lartë do të kenë shkurtime më të mëdha pagash, në bazë të grafikut që zbatohet për punonjësit civilë,” tha Zapatero.

Spanja ende nuk ka dalë nga recesioni dhe për disa tremujorë me radhë ekonomia e saj ka vazhduar të rrudhet, ndryshe nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian.

Kryeministri Zapatero është nën trysninë e kolegëve europianë për të shkurtuar shpenzimet dhe për të zgjidhur krizën ekonomike të vendit.

Të hënën, zyrtarët e Bashkimit Europian dhe të FMN-së premtuan ndihma emergjente me vlerë rreth 1 trilion dollarë për vendet e dobëta të eurozonës në shkëmbim të premtimeve që morën nga kryeministri Zapatero dhe homologu i tij portugez për të shkurtuar financat publike.

Analisti Enrike Kemada thotë se ky ishte hapi i parë por do të duhen edhe shkurtime të tjera:

"Japonia, e cila ka një popullsi tre herë më të madhe se Spanja ka të njëjtin numër punonjësish civilë,” thotë analisti.

Qeveria socialiste po përpiqet me çdo kusht të shmang krahasimet me Greqinë por tregjet po i bëjnë trysni këtij vendi të marrë masa më drastike nëse synon të shkurtojë deficitin buxhetor në nivelet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG