Lidhje

Plumba gome mbi votuesit në Kataloni


Policia spanjolle qëlloi me plumba gome mbi protestuesit para një qendre votimi në Barcelonë gjatë referendumit të diskutueshëm për pavarësinë e Katalonisë. Disa persona pësuan plagë nga plumbat.

Polica qëlloi për të shpërndarë protestuesit që po përpiqeshin të pengonin largimin e makinave të policisë që kishte konfiskuar kutitë e votimit.

Policia përdori çekiçët dhe mjetet për këputje çelësash për të hapur rrugën për në qendrën e votimit ku pritej të votonte udhëheqësi rajonal i Katalonisë. Përleshjet shpërthyen jashtë qendrës ndërmjet policisë dhe qytetarëve që prisnin për të votuar.

Përleshjet shpërthyen më pak se një orë pas hapjes së vendvotimeve dhe pak kohë para se presidenti rajonal i Katalonisë, Carles Puigdemont, të nisej drejt kutive të votimit. Punonjësit në qendrën e votimit reaguan paqësisht duke kënduar dhe duke brohoritur kundër pranisë së policisë.

Qeveria spanjolle dhe forcat e saj të sigurisë po përpiqen të pengojnë votimin për pavarësinë, që mbështetet nga autoritetet rajonale të Katalonisë. Zyrtarët spanjoll thanë se nuk do të përdorin forcën, por votimi nuk do të lejohet.

Çështja ka tronditur kuadrin politik dhe kushtetues të Spanjës.

Gjykata Kushtetuese e Spanjës e ka pezulluar votimin dhe qeveria qendrore e ka cilësuar referendumin të paligjshëm. Udhëheqësit separatist rajonal janë zotuar për mbajtjen e tij dhe kanë premtuar se do të shpallin pavarësinë nëse shumica i thotë "po" asaj, ndërsa u kanë bërë thirrje për pjesëmarrje 5.3 milionë votuesve.

Policia mbylli shumë qendra votimi disa orë para se të hapeshin ato për të pamundësuar përdorimin e tyre. Qendrat tjera u mbushën me aktivistë të vendosur që të mbahet referendumi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG