Udhëheqësi katalan, Carles Puigdemont tha se rajoni ka fituar të drejtën për të kërkuar pavarësinë, pas një referendumi që ka ngjallur debate. Qeveria e Spanjës nuk e kishte lejuar votimin pasi e kishte shpallur referendumin jokushtetues dhe dërgoi forca policore për ta ndalur atë. Përleshjet mes policisë dhe votuesve lanë qindra të plagosur. Ndërkohë Komisioni Evropian tha se referendumi në Katalonjë nuk ishte i ligjshëm por i bëri thirrje qeverisë spanjolle të hapë një dialog.
Qeveria spanjolle dislokoi mijëra policë për të ndalur votuesit në rajonin e Katalonjës, në veri të Spanjës, për të marr pjesë në votime. Por pjesëmarrësit ishin të shumtë dhe në disa raste u përleshën me policinë. Pas një dite të dhunshme, presidenti i rajonit deklaroi se Katalonja kishte fituar të drejtën e shtetësisë:
"Pas pak ditësh, qeveria ime do të dërgojë rezultatet e votimit të sotëm në parlamentin katalan, aty ku mishërohet sovraniteti i popullit tonë, në mënyrë që të veprohet bazuar në ligjin e referendumit."
Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy akuzoi qeverinë separatiste të Katalonjës se po vinte në lojë demokracinë dhe tha se në Spanjë nuk u zhvillua asnjë referendum të dielën:
"Ne kemi përmbushur detyrimet tona, duke vepruar që në fillim brenda ligjit dhe vetëm sipas ligjit. Kemi treguar se shteti ynë demokratik ka burimet për t’u vetëmbrojtur kundër një sulmi aq serioz, sa përpjekja për një referendum të paligjshëm."
Udhëheqësit politikë të rajonit fajësuan qeverinë e zotit Rajoy për dhunë dhe thanë se do t’i kërkojnë autoriteteve të Bashkimit Evropian të dënojnë veprimet e shtetit spanjoll.
Komisioni Evropian tha se referendumi i së dielës ishte i paligjshëm por i bëri thirrje gjithashtu qeverisë spanjolle të hapë dialog.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se dhuna nuk mund të jetë asnjëherë instrument në politikë.
Katalonja, rajoni më i pasur i Spanjës, humbi autonominë brenda Spanjës në vitin 2010. Separatistët fituan zgjedhje në Katalonjë pesë vjet në pas dhe organizuar zhvillimin e referendumit të pavarësisë. Kushtetuta spanjolle thotë se Spanja është e pandashme.
Qindra spanjollë u mblodhën në kryeqytetin e Madridit të dielën për të protestuar referendumin.
Por katalanët kanë gjithashtu përkrahës në mbarë botën. Disa prej tyre u bashkuan në demonstratë në kryeqytetit skocez të Edinburgut të dielën:
"Mendoj se të gjitha vendet në botë, qoftë rajoni bask, Katalonja, Skocia, e duke vazhduar tek Palestina dhe Kurdistani kanë të drejtën të ekzistojnë si vended he unë i mbështes këto lëvizje", thotë Sonja Coquelin, protestuese në Edinburg.
Brutaliteti i policisë të dielën është dënuar nga disa politikanë evropianë. Referendumi ka nxitur një nga krizat më të mëdha politike në 42 vjetët e demokracisë në Spanjë.
Facebook Forum