Autoritetet në Spanjë dhe në Marok arrestuan sot 14 persona, për të cilët thanë se janë pjesë e një rrjeti për rekrutimin e luftëtarëve për grupin Shteti Islamik në Irak dhe në Siri.
Ministria e Brendshme e Spanjës tha se arrestimet u bënë në San Martin de la Vega, në jug të Madridit dhe në pesë zona në Marokun verior.
Autoritetet nuk dhanë hollësi për personat e arrestuar dhe për aktivitetet që ata mendohet të kenë kryer.
Spanja ka ndaluar dhjetra persona të dyshuar si militantë gjatë viteteve të fundit, mes tyre edhe 8 persona në mars, për të cilët u tha se operonin si krahu propagandistik i Shtetit Islamik në Spanjë.
Ushtria e Spanjës, po ashtu po merr pjesë në koalicionin e udhëhequr nga SHBA, që po kryen sulme ajrore kundër militantëve të ISIS-it në dy vitet e fundit.