Lidhje

Madridi akuzon Kremlinin për ndërhyrje në krizën katalonjase


Operacionet ruse të ndërhyrjes kibernetike ruse në mbështetje të pavarësisë së Katalonias po vazhdojnë dhe mund të intensifikohen, sipas një raporti të botuar këtë javë nga Qendra për Studime Strategjike dhe të Mbrojtjes, CESEDEN, një institut qeveritar i Ministrisë spanjolle të Mbrojtjes.

Në raport pretendohet se Rusia po destabilizon Spanjën ndërsa tensionet përshkallëzohen në rajonin rebel verilindor.

"Kremlini po përfiton nga kriza katalonjase për të destabilizuar, duke përdorur një politikë që ka si qëllim të shkaktojë konfuzion në mediat sociale”, thuhej në raport.

Ndërsa kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy kishte shpresuar që zgjedhjet që ai shpalli në rajon muajin e kaluar do t’i zbusnin tensionet, ato rikthyen shumicën pro pavarësisë në parlamenttin rajonal. Këtë javë, shumica pro pavarësisë vazhdoi sfidën ndaj Madridit duke emëruar udhëheqësin në mërgim, Carles Puigdemont si president.

Dyshimet për ndërhyrje ruse në Katalonia janë shprehur nga ministrja spanjolle e mbrojtjes, Maria Dolores Cospedal, si edhe analistë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Megjithëse ministrja Cospedal nuk e ka fajësuar drejtpërdrejt Rusinë, ajo tha nëntorin e kaluar se qeveria e saj po analizonte se si mijëra llogari robotike që mbështesnin pavarësinë e Katalonias punonin nga Rusia.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar Spanjën se po përpiqet të “fajësojë Rusinë për dobësitë e saj të brendshme”.

Por një rritje prej 2 mijë për qind në trafikun e mediave sociale është vënë re që kur u mbajt referendumi dhe më pas shpallja e pavarësisë nga parlamenti katalanas në fund të vitit të kaluar. Këto lëvizje shkaktuan imponimin e kontrollin direkt të qeverisë spanjolle, që nxorri një urdhër për arrestimin e Puigdemont.

Ministria spanjolle e Mbrojtjes ka thënë se bie dakord me përfundimet e raportit të CESEDEN-it në një seksion të titulluar “Ndikimi i Dinamikës Gjeopolitike ndaj Spanjës”. Autori i raportit, Josep Basques, tha se Rusia po shfrytëzonte trazirat e Spanjës për të dobësuar NATO-n.

“Moska nuk ka interesa konkrete në Spanjë, pasi është shumë larg nga sfera e saj e ndikimit. Por synimi i Moskës është që të shkaktojë probleme në Katalonia, si mënyrë për të dobësuar një anëtar të NATO-s”, tha ai.

Basques paralajmëroi se kjo strategji mund të përsëritet në vende të tjera evropiane me pakica që synojnë shkëputjen.

Një specialist i luftës kibernetike në NATO që dëshmoi në seanca të parlamentit spanjoll thotë se investimi i Kremlinit në operacione kibernetike që kanë si objektiv spanjën, përfaqëson një fraksion të vogël të 1 miliardë dollarëve që Moska shpenzon për organe mediash zyrtare dhe jozyrtare.

Pjesa më e madhe e trafikut pro-shkëputjes në mediat sociale, mund të gjurmohet tek një qendër në rrethinat e Shën Peterburgut, synimi i së cilës është ndërhyrja në komunikimet mes anëtarëve të rrjeteve sociale. Një kompani e quajtur “Studime të internetit” ndodhet në atë ndërtesë, që është në pronësi të Evgeny Prigozhinit, një bashkëpunëtor i afërt biznesi i Presidentit rus, Vlaldimir Putin.

Kompania punëson dhjetra hakera, blogera dhe reporterë për të përhapur lajme të rreme dhe artikuj në favor të Kremlinit, sipas ish-të punësuarve që kanë folur me shtypin perëndimor.

"Ata janë në gjendje që të botojnë çdo lloj lajmi, komentesh dhe opinionesh me një shpejtësi të madhe. Ata përpiqen të krijojnë një linjë të caktuar, duke ndjekur njëri-tjetrin dhe duke tërhequr profile personash realë, duke i bërë më të dukshëm pasuesit e tyre për të krijuar një ndikim të mëtejshëm”, thotë eksperti i sigurisë kibernetike Manuel Huerta.

Analistja kibernetike ukrainase, Katrin Palanska ka thënë se “Studimet e Internetit” ka vënë në shënjestër edhe Ukrainën dhe shtetet baltike ku Moska po mbështet separatistët pro-rusë.

Gazetarët kundër pavarësisë në Katalonia thonë se faqet e tyre dhe adresat e emaileve janë hakeruar në mënyrë sistematike nga llogari elekronike në Rusi..

Mbi 30 për qind e llogarive të rreme që mbështesnin pavarësinë e Katalonias e kishin origjinën në Venezuelë, sipas zëdhënësave të Ministrisë spanjolle të Mbrojtjes. Presidenti venezuelian Nicolas Maduro, një aleat i ngoshtë i Rusisë, e ka sulmuar kryeministrin Rajoy për mbështetjen që i ka dhënë opozitës në vendin e tij.

Llogari si #VenezuelaSalutesCatalunya (Venezuela përshëndet Katalonian) kanë përforcuar dhe bërë më të dukshme mesazhet ku Rajoy cilësohet si “një diktator brutal” dhe duke u kërkuar katalonasve të “rezistojnë”.

Linja historish në rrjetet sociale mund të vazhdojnë të kenë ndikim në Katalonia, ku Puigdemont në mërgim ka në plan të qeverisë “në distancë”. Përkrahësit e tij në parlamentin katalonjas kanë në plan që të bëjnë inaugurimin e tij përmes Skype.

Oriol Soler, një këshilltar i afërt për median i Puigdemontit, është takuar me themeluesin e Wikileaks, Julian Assange, lidhjet ruse të të cilit dolën në pah nga roli i tij në fushatën në mediat sociale kundër Hillary Clintonit në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Assange ka bërë 40 mijë postime në mbështetje të pavarësisë së Katalonias që kur u takua me Solerin nëntorin e kaluar.

Soler tha se e kishte takuar zotin Assange në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të diskutuar për një projekt botimi dixhital.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG