Lidhje

Gara e kërcimit me ski për femra


Gara e kërcimit me ski për femra zhvillohet për herë të parë në Lojrat Olimpike Dimërore të Soçit në Rusi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Parke Brewer na sjell hollësi.

Kjo ka qënë një betejë e gjatë, por më në fund gara e kërcimit me ski për femra do t’u japë për herë të parë mundësi atyre në Soçi për të treguar talentin e tyre.

Meshkujt e kanë zhvilluar këtë garë që në Lojrat e para Olimpike Dimërore në Chamonix të Francës në vitin 1924.

Vitet e fundit, skiatoret femra kanë luftuar për të marrë pjesë në këtë garë të olimpikeve dhe e kanë kërkuar këtë zyrtarisht që nga Lojrat Olimpike Demërore të Naganos në Japoni në vitin 1998.

Një nga problemet ishte që në vitin 1991, kur Komiteti Ndërkombëtar Olimpik vendosi që në të gjitha sportet e të ardhmes të merrnin pjesë si burrat edhe gratë. Rregullat nuk përfshinin sportet ekzistuese. Shumë mendonin se kërcimi me ski ishte shumë i rrezikshëm për gratë dhe se nuk kishte mjaft konkuruese.

Në vitin 2006, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik u shpreh se kjo nuk kishte të bënte me diskriminimin, por thjesht se nuk mendonte se femrat kishin aftësitë teknike.

Kjo u bë shkak që një grup skiatoresh të ngrinin padi për këtë çështje në vitin 2008. Por ato e humbën çështjen dhe nuk morrën pjesë me këtë garë në Lojrat Olimpike Dimërore në Vankuver të Kanadasë në vitin 2010. Por këtë herë ato marrin pjesë në këtë garë.

Dhe jo vetëm kaq. Ato do të marrin pjesë në një formë dramatike duke luftuar për medalje të artë të martën në mbrëmje në qendrën Gorki në malet mbi Soçin.

Kampionia e parë e botës në këtë sport në 2009, amerikania Lindsey Van, thotë se tani që lufta për pjesëmarrjen e femrave në këtë garë ka marrë fund, ka ardhur koha që sportdashësit të shikojnë femrat të debutojnë në kërcimin me ski.

"Dua që më shumë njerëz të shikojnë se femrat janë të afta të kërcejnë me ski. U deshën 90 vjet që gratë të marrin pjesë në këtë garë. Pres me entuziasëm t’i tregoj botës dhe grave se ato janë të afta për këtë garë”.

Konkurentja e preferuar është atletja japoneze 17 vjeçare, Sara Takanashi, e gjatë 1 metër e 50 centimetra. Ajo ka dominuar kupat botërore gjatë dy sezoneve të fundit. Kampionia e botës, 19 vjeçarja amerikane Sarah Hendrickson e admiron Takanaskin për mënyrën se si e përballon atë që pritet prej saj.

"Presioni mua më krijon vështirësi në garë, ndërsa ajo e përballon sikur nuk ka asnjë problem. Unë e marr atë si shembull për këtë dhe për anën psikologjike të garës. Pres që ajo ta përballojë në të njejtën formë presionin edhe në garat e Soçit, ajo është një konkurente e fortë”.

Rreth mesnatës së të martës në Soçi do të jepen medaljet e para në histori për pjesëmarrëset në kërcimin me ski.
XS
SM
MD
LG