Lidhje

Përvjetori i Masakrës së Srebrenicës


Autobusë të mbushur me njerëz nga mbarë Bosnja dhe jashtë saj sot filluan të arrijnë në Srebrenicë për të përkujtuar 18 vjetorin e masakrës së vitit 1995 dhe për të rivarrosur viktima të identifikuara kohët e fundit që janë gjetur në varreza masive.

Dhjetëra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në varrimin e eshtrave të 409 viktimave, përfshirë 44 meshkuj në moshë të mitur, të masakrës së kryer nga serbët boshnjakë në fazën përfundimtare të luftës së Bosnjës mes viteve 1992-1995.

Rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë brenda disa ditëve në korrik të vitit 1995, pasi forcat serbe pushtuan qytetin e Srebrenicës i cili ishte deklaruar zonë e sigurt nga OKB-ja.

Trupat e viktimave janë ende duke u zhvarrosur nga varrezat masive në këtë zonë, ku serbët i kishin hedhur ato në përpjekje për të mbuluar krimin.

Viktimat e identifikuara varrosen çdo vit në përvjetorin e masakrës në varrezat e Memorialit Srebrenica-Potoçari. Ajsa Vahoviç po përgatitet sot për varrosjen e djalit të saj më të vogël.

Trupi i djalit të saj 21 vjeçar u gjet në një varr masiv. Dy vëllezërit e tij më të mëdhenj janë varrosur këtu vitin e kaluar. Munib Siljkoviç sot po varros shtatë anëtarë të familjes së tij.

“Sot po varros dy vëllezër të gruas sime. Babai i tyre nuk është gjetur ende. Këtu kam varrosur shtatë vëllezërit e gruas sime. Kam varrosur edhe një nga vëllezërit e mi këtu,” thotë ai.

“Nuk mund të kuptoj se si dikush mund të bëjë gjithë këto vrasje. Nuk mund ta kuptojë fare këtë veprim. Nuk mund të kuptoj se kush mund të ketë këtë nivel të urrejtjes ndaj nesh që do t’i shtynte të kryenin këto vrasje të tmerrshme. Nuk arrijë ta kuptoj dot”.


Gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë janë vrarë mbi 100 mijë njerëz.
XS
SM
MD
LG