Lidhje

DASH uron Kosovën për zgjedhjet e pushtetit komunal


Departamenti i Shtetit dje nxorri një deklaratë në të cilën thuhet se Shtetet e Bashkuara përshëndesin Republikën e Kosovës për zgjedhjet e saj historike të 3 nëntorit. Në deklaratë më tej thuhet se pavarësisht kërcënimeve dhe dhunës që synonte bllokimin e procesit demokratik, populli i veriut të Kosovës ushtroi të drejtën e tij për të zgjedhur përfaqësuesit legjitim për herë të parë në shumë vite.

Departamenti i Shtetit përshëndeti angazhimin e qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë për nxitjen e pjesëmarrjes së votuesve për t’i mundësuar popullit të Kosovës që të zgjedh udhëheqësit e tyre në mënyrë demokratike. Organizimi i suksesshëm i këtyre zgjedhjeve është një aspekt i rëndësishëm i zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Departamenti i Shteti i bëri thirrje të gjitha palëve që të sigurohen që faza e ardhshme e procesit zgjedhor të zhvillohet në mënyrë paqësore, të lirë dhe të drejtë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmet në veri të Mitrovicës që dëmtuan zgjedhjet në Kosovën veriore dhe u kërkojnë autoriteteve relevante të Kosovës që të hetojnë dhe të sjellin para drejtësisë përgjegjësit e incidenteve. Ne nuk duhet të lejojmë që dhuna e disa personave të hedh hije mbi arritjen e rëndësishme që këto zgjedhje përfaqësojnë”, thuhet në fund të deklaratës së Departamentit të Shtetit.
XS
SM
MD
LG