Statusi i Jeruzalemit është një nga çështjet kryesore në përpjekjet për një paqe afatgjatë mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Jeruzalemi perëndimor u vu nën kontrollin e Izraelit pas luftës gjashtë ditore arabo-izraelite të vitit 1948. Jeruzalemi lindor u mbajt nga Jordania, por u aneksua nga Izraeli pas luftës gjashtë ditore të vitit 1967 dhe konsiderohet territor i pushtuar.
Izraeli e konsideron Jeruzalemin kryeqytetin e vet të përjetshëm dhe të pandarë. Por palestinezët duan që Jeruzalemi lindor të jetë kryeqyteti i tyre.
Në Jeruzalem nuk ka ambasada të huaja. Ato janë të vendosura në Tel Aviv. Komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh aneksimin e Jeruzalemit Lindor nga Izraeli. Uashingtoni beson se fati i Jeruzalemit Lindor duhet të negociohet në biseda mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Newt Gingrich, kandidati republikan për president në Shtetet e Bashkuara, e përmendi kohët e fundit këtë çështje në një fjalim në një organizatë amerikane pro-izraelite.
“Ditën e parë të presidencës sime do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për ta vendosur ambasadën amerikane në Jeruzalem”.
Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara John Bolton është dakord.
“Sigurisht që duhet bërë në konsultim me qeverinë izraelite. Duam ta bëjmë një gjë të tillë me kujdes. Por e kam të vështirë ta kuptoj se pse ambasada amerikane nuk është në kryeqytetin e vendit”.
Alon Ben-Meir, një ekspert për Lindjen e Mesme në Universitetin e Nju Jorkut thotë se deklarata e zotit Gingrich është pjesë e një retorike politike që ka si synim të sigurojë votat e hebrenjve të Amerikës.
“Nëse bëhet president, gjë që nuk duket se ka gjasa, ai nuk ka për ta zhvendosur ambasadën. Shumë presidentë kur bënin fushatë si kandidatë kanë bërë deklarata të ngjashme, përfshirë Bill Clintonin dhe George W. Bushin. Por asnjëri prej tyre nuk e ka zhvendosur ambasadën, sepse kur janë në Shtëpinë e Bardhë e kuptojnë se ç’pasoja do të kishte një veprim i tillë, që do të ngjallte reagim në botën arabe, dhe Shtetet e Bashkuara nuk duan të ngjallin indinjatën e botës arabe për arsye që kanë vetëm vlerë simbolike”.
Fawaz Gerges, ekspert i Lindjes së Mesme në Fakultetin Ekonomik të Londrës është i një mendjeje.
“Një lëvizje e tillë do të ishte një hap i madh për Shtetet e Bashkuara dhe do t’i dëmtonte interesat jetike amerikane jo vetëm në botën arabe por në gjithë botën myslimane, duke pasur parasysh se çfarë rëndësie ka Jeruzalemi nga pikëpamja fetare, simbolike dhe e civilizimit, jo vetëm për hebrenjtë por edhe për palestinezët, arabët, myslimanët dhe të krishterët”.
Zoti Gerges paraqet argumentin për zgjidhjen e çështjes së Jeruzalemit.
“Ideja është që Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta zhvendosin ambasadën në Jeruzalem derisa të ketë një marrëveshje paqeje dhe të dyja komunitetet, të dyja identitetet të kenë kryeqytetin e tyre në Jeruzalem, Jeruzalemi Lindor për palestinezët dhe ai perëndimor për hebrenjtë”.
Por analistët thonë se kjo nuk ka gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh faktin që procesi i paqes së Lindjes së Mesme ka ngecur dhe nuk pritet ndonjë përparim në një vit zgjedhjesh presidenciale në Shtetet e Bashkuara.