Lidhje

Stilistët amerikanë po përpiqen të rrisin prodhimin vendas në industrinë e veshjeve


Për dekada me rradhë, kompanitë amerikane, mes tyre edhe industria e tekstileve, kanë zhvendosur prodhimin e tyre jashtë vendit, ku krahu i punës dhe kostot të tjera të kësaj industrie kushtojnë më pak. Por specialistët e modës në Shtetet e Bashkuara thonë se disa stilistë amerikanë po e zhvendosin prodhimin e industrisë së veshjeve sërish në Shtetet e Bashkuara pasi ka një kërkesë në rritje nga konsumatorët, për veshje të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.

Në Kaliforninë jugore, më shumë se 150 mijë njerëz punojnë në industrinë e veshjeve.

“Nëse do të krijosh veshje në Shtetet e Bashkuara, duhet të punosh në Kaliforni”, thotë Ilse Metçek,presidente e Shoqatës së Modës në Kaliforni.

Ajo thotë se janë shtuar stilistët që krijojnë veshje në Shtetet e Bashkuara e që plotësojnë kërkesat e konsumatorit.

“Gjithçka që thuhet se Kina nuk respekton ligjet e punës, apo se Kina manipulon monedhën e vet, ndikon tek njerëzit. Ata janë shumë të ndërgjegjshëm. Ata ndoshta nuk dinë detjate por dëgjojnë zhurmën rreth prodhimeve kineze”.

Disa amerikanë duan gjithashtu të blejnë mallra amerikanë për të ndihmuar ekonominë vendase. Kathleen Hudak është një prej tyre.

“Dua që paratë e mia të ndihmojnë punonjësit e vendit tonë”.

Konsumatorët jashtë vendit gjithashtu shohin për markat ku shkruhet “Prodhim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Bryan Kang, president i dyqanit të Los Angelosit “Rhapsody Clothing” shpjegon arsyet.

“Ka ekzistuar ideja se nuk ka treg të ndërmjetëm, se në tregjet aziatike shiten ose firma si Fendi apo Guçi, ose prodhime tepër të lira të cilësisë së ulët. Por ne zbuluam se kjo nuk është e vërtetë. Ka kërkesë të lartë edhe nga shtresa e mesme”.

Bryan Kang thotë se ai ka transferuar shumë nga prodhimet e tij nga Amerika Latine apo Kina sërish në Shtetet e Bashkuara, ndonëse i ka kushtuar rreth 10 apo 20 për qind më shtrenjtë prodhimi i artikujve të veçantë.

Lonnie Kane, president i firmës Karen Kane prodhon shumicën e artikujve të tij në Kinë. Por ai thotë se tani ka më pak dallim në çmimin e produkteve që prodhohen në Kinë apo në Shtetet e Bashkuar pasi edhe në Kinë po shtrenjtohet prodhimi.

“Në Kinë po ngrihet niveli i jetesës. Edhe pagat po rriten”.

Lonnie Kane dhe amerikanë të tjerë që janë përfshirë në industrinë e veshjeve thonë se procesi i prodhimit në vend është më i lehtë ka cilësi më të mirë.

Frank Doroff është zëvendës kryetar i departamentit të veshjeve për dyqanin e shitjeve me pakicë Bloomingdale.

“Unë kërkoj produkte që janë prodhuar në Shtetet e Bashkuara për vetë marrëdhënien që mund të vendos me prodhuesin e linjës, kohën më të shpejtë që kam për të parë produktin, duke përfshirë këtu edhe cilësinë e mallit”.

Por ende, shumë veshje bëhen jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Lonnie Kane thotë se disa lloj veshjesh nuk mund të bëhen kurrë këtu.

“Prodhimet e dyqaneve Walmart nuk mund të bëhen në Shtetet e Bashkuara. Konsumatorët duan të paguajnë vetëm një çmim të kufizuar për një produkt dhe kjo mund të ketë kosto më të lartë në Shtetet e Bsashkuara”.

Nëse prodhimi në Kinë shtrenjtohet, specialistë e industrisë thonë se industria e veshjeve thjesht do të zhvendoset në vendet me kosto më të ulët si Bangladeshi apo Kamboxhia.

XS
SM
MD
LG