Lidhje

Bien ndjeshëm tregjet e aksioneve


Tregjet e aksioneve në Kinë dhe në vendet e tjera aziatike ranë ndjeshëm ditën e parë të hapjes së bursës për këtë vit, duke shkaktuar rënie të konsiderueshme edhe në tregjet europiane. Edhe në Shtetet e Bashkuara aksionet ranë ndjeshëm në fillim të ditës. Analistët thonë se shkak është rënia e prodhimit industrial në Kinë dhe shkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme.

Pas rënies 5 për qind të një indeksi të rëndësishëm të aksioneve të 300 kompanive kineze, shitblerjet në bursën u ndaluan automatikisht për 15 minuta.

Ndërprerja, sipas komisionerëve, shkaktoi panik të mëtejshëm duke e bërë më të vështirë shitjen e aksisoneve.

Pas rifillimit të shitblerjeve rënia e vlerëçs së aksioneve vazhdoi më tej, dhe kur treguesit e bursës së Shenzhenit dhe Shanghait, shënuan një ulje 7 për qindësh, të gjitha transaksionet u ndërprenë për pjesën tjetër të ditës.

Indeksi kryesor i Shanghait shënoi sot një rënie 6.9 për qind, ndërsa ai i Shenzhenit 8,2 për qind.

Analistët thonë se shkaku i rënies së bursës, është pakësimi për të pestin muaj radhazi i prodhimit industrial në Kinë dhe shkallëzimi i tensioneve gjeopolitik në Lindjen e Mesme.

Rënia e ndjeshme e aksioneve në vendet aziatike u shtri edhe në Evropë. Indeksi DAX i Gjermanisë ra me 3,4 për qind, indeksi europian FTSEurofist 300 shënoi një rënie prej 2,3 për qind, ndërsa indeksi i eurozonës Euro Stoxx 50 ra me 2,6 për qind.

“Duhet të presim se si do të reagojnë ditët e ardhshme tregjet gjermane. Sipas rregullit, 5 ditët e para të vitit në tregun e aksioneve përcaktojnë pjesën tjetër të vitit. Por parakushtet tona nuk kanë ndryshuar: kemi një nivel të ulët të interesit bankar dhe likuditet të lartë. Për shkak të interesave të ulëta bankare, pritet që aksionerët të investojnë në bursë. Pra, megjithë rrethanat e pafavorshme, unë kam një mendim pozitiv për vitin 2016.”

Fidel Helmer thotë se një faktor që ndikoi negativisht tek tregjet e aksioneve ishte edhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes dy prodhuesve kryesorë të naftës, Arabisë Saudite dhe në Iranit.

“Konflikti midis Iranit dhe Arabisë Saudite ka një ndikim të madh tek ne. Arabia Saudite është aleati ynë më i mirë në rajon, aleati më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara dhe i vetmi vend në rajon që ka një qeveri të qëndrueshme. Në se edhe kjo qeveri do të binte në krizë, kjo, sigurisht që do të kishte pasoja negative në Europë dhe numri i emigrantëve nuk ka për t’u pakësuar”.

Arabi Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë, i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin më 3 janar, si përgjigje ndaj sulmit në ambadadën e saj në Teheran. Marrëdhëniet dypalëshe u acaruan pas ekzekutimit nga Riadi të një kleriku të njohur shi’it më 2 janar.

XS
SM
MD
LG