Lidhje

SHBA, nxënësit planifikojnë protesta kundër dhunës me armë


Në të gjithë vendin nxënësit kanë organizuar protesta kundër dhunës me armë zjarri, pas incidentit të 14 shkurtit në Parkland të Floridës ku gjetën vdekjen 17 vetë. Më 14 mars, një muaj pas masakrës është planifikuar të zhvillohet një protestë kur nxënësit do të dalin nga klasat për 17 minuta në nderim të viktimave dhe për t’u dërguar një mesazh politikanëve në Uashington:

Një lëvizje kombëtare pasoi masakrën e 14 shkurtit në shkollën e mesme në Parkland të Floridës ku 17 vetë mbetën të vrarë në një incident me armën gjysmëautomatike AR-15.

Kur të mbushet një muaj nga incidenti, studentë, mësues e të tjerë nga i gjithë vendi do të marrin pjesë në një protestë kur do të dalin nga klasat për 17 minuta për të nderuar viktimat dhe për të tërhequr vëmendjen tek dhuna me armë zjarri.

Javën e kaluar kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio u takua me nxënës për të diskutuar mbi këtë temë. Disa prej të rinjve theksuan aktivizmin si mënyrë për të sjellë në debat zëra të rinj që nuk janë nën kontrollin e lobit të armëve.

“Kur ndez televizorin dhe shoh masakra të tilla në shkolla që e di se mund të ishin parandaluar, e ndjej se e kam për detyrë si individ që mund të përballem edhe vetë me këtë skenar, që të hidhem në veprim, të marr një rol udhëheqës,” thotë nxënësja Arielle Geismar.

Nxënës të tjerë shprehin mbështetje për të drejtën e armë-mbajtjes me përgjegjshmëri dhe për Amendamentin e Dytë të Kushtetutës që e mbron këtë të drejtë.

“Asnjë nuk mund ta parashikojë se kur do të përballet me një person të armatosur. Kur je përballë një personi me armë, duhet të kemi dikë të përgatitur që t’i përgjigjet. Duhet të kemi një roje në shkollë, të armatosur dhe të përgatitur që ta neutralizojë, ndoshta edhe ta vrasë personin e rrezikshëm për të mbrojtur nxënësit,” thotë nxënësi Daniel Flores.

Më 24 mars në Uashington do të zhvillohet një marshim proteste, dhe më 20 prill do të ketë një tjetër ndalim të mësimit në shkolla për të shënuar 20 vjetorin e masakrës së vitit 1999 në një shkollë të mesme në Kolumbajn të Kolorados.

Disa shkolla kanë informuar nxënësit se nuk kanë të drejtë për protestë gjatë ditës mësimore dhe se do të ndëshkojnë nxënësit që dalin nga klasa për të protestuar. Ndërsa në shkolla të tjera administrata ka ofruar mbështetje. Madje disa universitete kanë njoftuar nxënësit se pranimi në këto shkolla nuk do të ndikohet nga ndëshkimi që marrin për pjesëmarrje në protestë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG