Lidhje

Studimet e kancerit tek kafshët sjellin avancimin e njohurive për kancerin tek njerëzit


Studimet e kancerit tek kafshët sjellin avancimin e njohurive për kancerin tek njerëzit
Studimet e kancerit tek kafshët sjellin avancimin e njohurive për kancerin tek njerëzit

Amerikanët po harxhojnë një pjesë të parave të tyre për t’i mbajtur të shëndetshëm kafshët shtëpiake. Por kujdesi për ta, shkon përtej vaksinimeve. Veterinerët po kërkojnë trajtime të reja për kancerin tek kafshët dhe siç njofton në materialin e saj korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson, kërkimet e tyre po japin të dhëna të vlefshme mbi natyrën dhe trajtimin e llojeve të kancerëve edhe tek njerëzit.

Salsa është një mace që i bën shoqëri Chris Condetti-t në shtëpinë e tij pranë Uashingtonit. Ai thotë se Salsa është pjesë e familjes.

Ideja se kafshët janë pjesë e familjes po i bën amerikanët të shpenzojnë shuma të papara parash për shëndetin e tyre. Sipas një ankete të industrisë, në vitin 2010, amerikanët shpenzuan 13 miliardë dollarë për shërbime veterinare.

Të gjitha këto para shpenzohen për të përmirësuar jetët e kafshëve shtëpiake. Kjo ka një ndikim pozitiv edhe në shërbimin shëndetësor për njerëzit. Për shembull, në Universitetin e Mizurit, mjeku Kim Selting kreu një studim mbi kancerin tek macet.

"Nga studimi kemi parë vlerën që ka shëndeti i kafshëve dhe si mund të ndikojë ai te shëndeti i njerzve".

Veterinerët kanë përqasje ndaj një informacioni të madh të grumbulluar nga qendrat e veterinarisë në mbarë Shtetet e Bashkuara. Një prej tyre menaxhohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit.

Dr. Chand Khanna vëzhgon provat klinike për medikamente të reja për kancerin tek qentë. Ai thotë se këto prova kanë potencialin të ndihmojnë në luftën e kancerit te njerëzit.

"Pothuajse çdo lloj kanceri që prek njerëzit, prek edhe qentë".

Veterinerët mund të bëjnë të njëjtat analiza të avancuara te qentë dhe macet që mjekët bëjnë te njerëzit. Dr. Khanna thotë se osteosarkoma, kanceri i kockës zhvillohet në të njëjtën mënyrë si te qentë ashtu edhe te njerëzit.

"Ne shohim strukturën molekulare të këtij lloj kanceri tek njerëzit dhe qentë dhe mes tyre nuk ka asnjë ndryshim".

Një gjë tjetër... të dyja speciet përgjigjen në të njëjtën mënyrë ndaj ilaçeve.

"Fokusi ynë ka qënë terapia, përpjekja për të kuptuar sesi dhe pse ilaçet që përdoren te njerëzit mund t’i bëjmë më të efektshme përmes provave te qentë me kancer".

Studimet pasohen me një kujdes më të mirë për kafshët shtëpiake por trajtimi i tyre i lejon hulumtuesit të mësojnë më shumë rreth llojeve të ndryshme të kancerëve në një periudhë më të shkurtër.

"Ata plaken më shpejtë. Kanceri përparon më me shpejtësi. Ne mund të marrim përgjigjen në se një medikament i ri funksionon, përmes provave tek qentë më shpejt sesa nga ato me njerëzit".

Përsa i përket studimeve të kancerit, veterinerët thonë se tani mund të shkëmbejnë informacione me specialistët e kancereve tek njerëzit dhe të zhvillojnë prova për të parë shkaqet që sjellin lloje të ndryshme të kancerit, përse ndodhin dhe cila është metoda më e mirë për trajtimin e tyre.

XS
SM
MD
LG