Lidhje

Studimi, antibiotikët nuk janë të efektshëm kundër infeksioneve në sinus


Më shumë se 30 milion njerëz vetëm në Shtetet e Bashkuara vuajnë nga infeksione të rënda në sinus. Shumica e tyre trajtohen me antibiotikë. Por zyrtarët botërorë të shëndetësisë paralajmërojnë se përdorimi i tepruar i antibiotikëve po krijon mikrobe të reja që i rezistojnë ilaçeve. Tani studiuesit njoftojnë se antibiotikët nuk janë të efektshëm kundër infeksioneve në sinus. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson sjell hollësi.

Amoksicilini është ndoshta anitbiotiku më i përdorur.

Ai është gjithashtu antibiotiku i preferuar për trajtimin e infeksioneve në sinus, thotë Dr. Jay Piccirillo nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin Uashington në St. Louis të Mizurit.

“Brendësia e hundës duket se është pak sa e enjtur”.

Dr. Piccirillo është specialist për trajtimin e problemeve me sinusin.

“Ndezja shkakton dhimbje, presion dhe rrjedhje”.

Gjendja fillon të përkeqësohet pas ndezjes në zgavrën e hundës, rreth syve dhe ballit. Pastaj kanali i sinuseve ndizet. Infeksioni zgjat rreth 10 ditë. Michelle Ferraro është një nga pacientët e Dr. Piccirillo.

“Infeksioni të bllokon plotësisht. Faza intensive e infeksionit është shumë e rendë dhe nuk mund të bësh asgjë. Nuk mund të funksionosh”.

Dr. Piccirillo ka bërë prova me pacientët e prekur nga infeksioni në sinus në St. Louis. Disa prej tyre iu nënshtruan një kursi 10 ditor të trajtimit me amoksicillin ndërkohë që të tjerët u përqëndruan kryesisht në trajtimin e simptomave.

“Ne prisnim që përdorimi i antibiotikëve do t’i bënte pacientët të ndjeheshin më mirë për një kohë më të shpejtë, por ky nuk ishte rezultatit që nxorrëm”.

Në fakt, studiusit erdhën në përfundimin se pacientët që u trajtuan me antibiotikë nuk ishin më mirë se ata që nuk u trajtuan me antibiotikë.

“Antibiotikët nuk përmirësojnë gjendjen e pacientëve më shpejtë, nuk parandalojnë përsëritjen e simptomave, dhe nuk parandalojnë komplikacionet”.

Kjo ndodh për shkak se infeksionet në sinus shkaktohen nga viruset. Antibiotikët sulmojnë bakteriet e jo viruset. Kjo do të thotë se njerëzit marrin miliona doza të antibiotikëve pa patur nevojë për to. Duke bërë këtë, ata dobësojnë efektshmërinë e ilaçeve duke krijuar forma të rrezikshme bakteriesh të cilat janë rezistente ndaj antibiotikëve.

Dr. Piccirillo thotë se shumica e pacientëve mund të lehtësojnë dhimbjen duke përdorur acetaminofin, shurupë për kollën dhe ujë të kriposur për të pastruar sinuset.

Ka edhe forma të tjera që mund të ndihmojnë në trajtimin e sinuseve.

“Dush me ujë të nxehtë dhe avulli me pak vaj eukalipti lehtësojnë dhimbjet sa për të kaluar momentet e vështira”.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se nëse mjekët nuk këshillojnë përdorimin e anitbiotikëve për shumicën e infeksioneve në sinus, përveç në rastet kur shkaktohen nga bakteriet, ky do të ishte një hap i madh drejt kontrollit të përhapjes së mikrobeve që i rezistojnë antibiotikëve.

Studimi u publikua në revistën the Journal of the American Medical Association.

XS
SM
MD
LG