Autoritetet irakiane thonë se një person hodhi në erë një makinë pranë ministrisë së brendshme në Bagdad, duke vrarë shtatë vetë si dhe veten e tij. Më shumë se 30 persona janë plagosur.
Zyrtarët thonë se automjeti i tij kaloi nëpër një barrierë të sigurisë pranë ministrisë gjatë orëve me trafik të dëndur sot në mëngjes. Sipas tyre, mes të vrarëve janë pesë policë.
Incidenti i sotëm vjen pas një seri shpërthimesh në Bagdad që lanë të vrarë rreth 70 njerëz të enjten, dita më e përgjakshme në Irak pas shumë muajsh.
Sulmet kanë ngritur shqetësime lidhur me aftësinë e qeverisë irakiane për të siguruar vendin ndërkohë që ajo përpiqet të zgjidhë një krizë politike që shpërtheu pas tërheqjes së trupave amerikane këtë muaj.
Kryeministri shiit i Irakut Nouri al-Maliki ka urdhëruar arrestimin e nënpresidenti sunit, Tarik al- Hashemi të dyshuar për drejtimin e një skuadre ekzekutimesh. Hashemi e mohon akuzën dhe u arratis në rajonin autonom të Kurdistanit në Irakun verior për t'iu shmangur arrestimit.