Forcat siriane kanë kryer sulme të reja ndaj qytetit Homs, ku sot janë vrarë të paktën 6 persona. Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut bombardimet dhe zjarri i artilerisë të përdorura sot nga forcat qeveritare kanë qenë më të ashpërat prej disa ditësh.
Sulmet ndodhin pas paralajmërimit të Komisionerit të të Drejtave të Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara, se “dhuna brutale” në Siri mund të përcaktohet si një “krim kundër njerëzimit”. Grupi opozitar Komiteti i Bashkërendimit Vendor, tha sot se qyteti Homs ndodhet “ nën zjarrin brutal të artilerisë”.
Dëshmitarët në terren thonë se ushqimet dhe karburanti janë të pamjaftueshme dhe se shumica e dyqaneve janë mbyllur, për shkak të sulmeve që i kanë detyruar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi. Sulmi ka patur si objektiv të veçantë zonën e mbajtur nga rebelët sunni, Baba Amr, e cila ka qenë në qendër të protestave 11 mujore kundër qeverisë së presidentit Assad.